Takimi sekret Thaçi – Vuçiq në Paris rishfaq fuqishëm trekëndëshin gjeopolitik Paris – Moskë – Beograd

20.03.2018 11:19:15

Nga Rexhep Kastrati

Trekëndëshi gjeopolitik Paris – Moskë – Beograd, nuk është shfaqur vetëm tash në kontekst të takimit sekret Thaçi – Vuçiq, por është një trekëndësh gjeopolitik me konotacione dhe denotacione kohore dhe hapësinore edhe në rrafshin horizontal, edhe në atë vertikal. Kjo do të thotë që ky trekëndësh gjeopolitik, që nga fillimi, e sidomos që nga shekulli XIX e këndej, ka përfshirë hapësira të dnryshme gjeopolitike, varësisht nga aleancat dhe kontekstet gjeopolitike.

Në kontekst të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, ky trekëndësh është shfaqur si në rastin e Bosnjes, ashtu edhe të Kosovës. Duhet të kujtojmë se presidenti francez, Fransua Miteran, gjatë viteve ’90 të shekullit të kaluar ishte angazhuar që në këtë pjesë të Evropës, ta mbante Serbinë si fuqinë kryesore që kontrollon paqen dhe luftën, pra faktor kryesor në rajonin tonë. Dhe këtë, Fransua Miteran ishte në gjendje ta bënte edhe nëse do të duhej të zhdukeshin popuj, në rastin konkret, boshnjakët.

Në rastin e Kosovës, ndërkaq, roli destruktiv i Francës është vënë në pah vazhdimisht, sidomos që nga koha e luftës e këndej. Tashmë është bërë publik fakti se hashim Thaçi, drejtori i Drejtorisë politike të UÇK-së ishte rekrutuar nga DGSE, duke bërë politika franceze, pra politika në përputhje me trekëndëshin gjeopolitik Paris – Moskë – Beograd, përkatësisht në funksion të ndarjes etnike të Kosovës. Tashmë është pranuar botërisht roli i Hahsim Thaçit dhe francezëve në ndarjen e Kosovës në baza etnike, ndërkohë që për këtë kam shkruar vazhdimisht që nga koha e luftës e këndej.

Edhe në kontekst të bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe, është bërë i njohur roli dekonspirues i Francës ndaj sulmeve konkrete të aeroplanëve të NATO-s.

Pas luftës, ishte Kushner që kishte realizuar një takim ndrëmjet Hashim Thaçit me popin Artemije dhe Momçilo Trajkoviq, kurse vetë KFOR-i francez ishte vendosur pikërisht në veri të Kosovës.

Gjatë viteve, roli i boshtit gjeopolitik Paris – Moskë – Beograd është realizuar jo vetëm nëpërmjet KFOR-it francez, por edhe nëpërmjet EULEX-it, të cilin një kohë e ka udhëhequr edhe ish-shefi i DGSE-së, Marnak. Në fakt, KFOR-i francez dhe EULEX ka bërë shumë në forcimin e ndarjes etnike, në funksionimin e strukurave të Serbisë në Kosovë, në rehabilitimin e krimit dhe të strukurave mafiozo-politike.

Në kontekst të zhvillimeve që kishin të bënin me demarkacionin dhe asociacionin, Franca ka heshtur dhe nuk ka dënuar asnjëherë dhunën ndaj institucioneve të shtetit. Është sinjifikativ fakti se Albin Kurti, në një intervistë për një magazin francez për politikë të jashtme është shprehur se shtetit e QUINT-it nuk ishin pesë, por vetëm dy, e që do të thotë se ndaj dhunës së sektës okulte të tij, kishin qëndrim kundër vetëm SHBA dhe Gjermania.

Mirëpo, roli më i dukshëm i Francës në këtë drejtim ishte në rastin e Ramush Haradinajt, kur bëri një shfaqje disamujore, duke e mbajtur gjoja të arrestuar në Colmar në bazë të një kërkese të Serbisë për ekstradim.

Në këtë kontekst, rikthimi i kontesktit gjeopolitik Paris – Moskë – Beograd, në rastin e takimit sekret Thaçi – Vuçiq, është vetëm vazhdimësi e angazhimeve tl gjertanishme për ndarjen e Kosovës që në terren është realizuar qysh më 1998-1999.