Takohen “kokat” e anti-emigracionit, mijëra protestojnë në Milano

28.08.2018 23:37:41

Takimi mes dy liderëve populistë të Italisë dhe Hungarisë, miqve Matteo Salvini  e Viktor Orban në Prefekturën e Milanos zgjati rreth një orë dhe të dy shpallën triumfin e antiemigrantëve ndaj qëndrimeve të Europës.

“Ne jemi pranë një pikë kthese historike për të ardhmen e Evropës. Sot fillon një tur i takimeve, do të ketë edhe shumë të tjerë”, tha ministri i Brendshëm italian.

Ndërkohë Orban e cilësoi Salvinin “heroin e tij” dhe vlerësoi bllokadën e kreut të Lega Nord ndaj emigrantëve që zbarkojnë nga Afrika. Me Salvinin “do të doja të kisha një njohje personale, pasi ai është heroi im”, kishte thënë kryeministri hungarez, teksa largohej nga restoranti ku kishte drekuar në Milano përpara takimit zyrtar në prefekturë.

“Kur të gjithë në Parlamentin Europian po më sulmonin, Salvini më mbrojti, nuk e harroj dhe e falënderoj atë”, tha Orban pas takimit.

“Emigracioni mund të ndalet dhe Salvini e ka treguar këtë”, shtoi më tej kryeministri hungarez.

“Me ministrin – shtoi Orban – folëm për të ardhmen e Evropës, ku sot problemi më serioz është pikërisht ai i emigrantëve. Politika jonë është të sjellim ndihmë kur ka probleme dhe të mos sjellë probleme nga ne. Dhe me Salvinin ne kemi gjetur një pikë të përbashkët në këtë drejtim”.

“Siguria e Bashkimit Europian varet nga suksesi i Salvinit”, theksoi Orban duke lavdëruar pa masë kreun e Lidhjes së Veriut.

Salvini ndërkohë sulmoi ashpër Presidentin e Francës, Emanuel Macron dhe opozitën italiane duke thënë se nuk mund të “na japin mësime”. “Opozita nuk mund të vendosë se kë unë takoj ose jo”, tha Salvini duke komentuar reagimin e rivalëve politikë.

“Jam befasuar nga befasia e tyre, dhe kështu që nuk do befasohem nëse njerëzit nuk do të votojnë më për ta. Ne kërkojmë bashkëpunim edhe me Macron, i cili e kalon kohën e tij duke i dhënë mend qeverive të huaja”, tha Salvini.

Por përpara godinës ku ndodhi takimi i dy “gjigandëve” të politikave anti-emigrantë, mijëra qytetarë, anëtarë të shoqërisë civile dhe emigrantë mbushën rrugët duke protestuar kundër simbolikës së kësja miqësie Salvini-Orban.

Ata që mbështesin pranimin dhe integrimin e emigrantëve u mblodhën kryesisht në Piazza San Babila dhe demonstratën e tyre e kishin quajtur “Evropa pa mure”. Tubimit iu u bashkuan edhe parti politike, si Partia Demokratike, LEU, ANPI, sindikatat nga CGIL, qendrat sociale, kolektivat studentore, si dhe Sentinelli Milani, të cilët janë në mesin e organizatorëve.

Sheshi u ruajt nga policia dhe aksesi në Corso Monforte, ku ndodhet selia e prefekturës, u bllokua nga kamionë dhe agjentë të policisë për të shmangur trazirat. Në shesh gjendeshin edhe fëmijët e “Shën Ambroeus Fc”, ekipi i parë i refugjatëve të regjistruar me FIGC, që do të organizojnë një stërvitje për të kundërshtuar rihapjen e ish Cie Via Corelli.

Ndërkohë bojë e kuqe si gjaku i shumë emigrantëve që humbën jetën në det u hodh përpara Konsullatës së Përgjithshme Hungareze të Milanos, në zonën e Missorit. Ky ishte veprim i disa protestuesve dhe militantëve të qendrave sociale në protestë për takimin midis Salvinit dhe Orbanit, të cilët vazhdojnë “politikën fashiste”.

Protestuesit gjithashtu mbanin një flamur, ku shkruhej: “Kufijtë tuaj vrasin Salvini dhe Orban, bashkëpunëtorë të racizmit dhe frikës” dhe “Evropa jonë nuk ka kufij, refugjatët i mirëpresim”.