Taksa ndaj mallrave të Serbisë dhe konferenca ndërkombëtare për Kosovën

06.02.2019 23:45:43

Nga Rexhep Kastrati

Serbia ka thënë se nuk mund të ketë vazhdim të negociatave në Bruksel pa heqjen e taksës, e së fundmi ka vënë kusht edhe “Trepçën”. Në anën tjetër, Ramush Haradinaj është përgjigjur se nuk do të ketë heqje të taksës për hir të negociatave në Bruksel.

Në këtë kontekst mund të thuhet se është krijuar një situatë kur mund të ndodhë bllokimi i negociatave në Bruksel, kurse përgjegjësinë për këtë ta mbajë Kosova, e cila do të mund të ndëshkohet jo vetëm me prishje të mëtejmë të imazhit, por edhe me përkeqësim marrëdhëniesh me alatët dhe me izolim ndërkombëtar.

Ky do të ishte sukses i madh i Serbisë, e cila do të kishte gjithë fuqinë diplomatike, por edhe mbështetjen e madhe të aleatëve të saj për të imponuar një marrëveshje të dëmshme për Kosovën.

Në anën tjetër, niveli i negociatave të Brukselit ka tejkaluar çdo kufi të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të OKB-së, kurse negociatat sekrete ndërmjet Thaçit dhe Tadiqit, Thaçit me Daçiqin dhe të Thaçit me Vuçiqin kanë arritur, po ashtu një nivel shumë të lartë të pazareve në dëm të Kosovës.

Negociatat në Bruksel kaherë kanë arritur në nivel përfundimtar, e në një nivel të tillë kanë arritur edhe negociatat sekrete ndërmjet Thaçit dhe të tjerëve në periudha të ndryshme. Këto duhet mbyllur me një shkrirje në një dokument integral dhe gjithëpërfshirës që kalojnë edhe kufijtë e negociatave në Bruksel, por edhe të negociatave të tjera sekrete.

Tashmë marrëveshjet e Brukselit dhe pazaret sekrete duhet të kodifikohen dhe të publikohen, e në fund edhe të imponohen për palët, sidomos për Kosovën.

Formati i negociatave në Bruksel nuk lë hapësirë dhe mundësi për legalizimin e pazareve të rënda që janë bërë. Në Bruksel nuk mund të vendoset për ndryshim kufijsh, as për një “Republika Srpska”, sepse BE nuk mund të dalë jashtë parimeve të Badinterit dhe të Grupit të Kontaktit për Kosovën, por edhe po u provua, nuk është e sigurt se do të mund të marrë votat e mjaftueshme në Kuvend.

Mundësia që të mbahet një konferencë ndërkombëtare për Kosovën, e tipit të Konferencës së Dejtonit për Bosnjen është rritur jo vetëm pse po përmendet më shpesh, por pikërisht se formati i një konference të tillë do të mund të impononte një marrëveshje në pako, e cila do të garantonte integritetin territorial të Kosovës, por do të mundësonte krijimin e një “Republika Srpska”.

Si karrotë, Kosovës dhe Serbisë do t’u ofroheshin mundësi për integrim në BE, dhe sigurisht ulëse në OKB dhe institucione të tjera ndërkombëtare.

Kjo bie në përputhje me deklaratat se taksa nuk hiqet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën, e që do të mund të vinte nëpërmjet një konference të tillë ndërkombëtare.

Në këtë kontekst po del se vendosja e taksës është bërë pikërisht për të bllokuar negociatat në Bruksel dhe për të hapur rrugë konferencës ndërkombëtare për Kosovën.

Prandaj, edhe teza se kjo taksë mund të ketë rrjedhë si rezultat i ndonjë marrëveshje Thaçi-Vuçiq dhe e sponzorizuar edhe nga ndonjë shtet apo grup shtetesh, bëhet shumë e besueshme!