Të arrestuarit në Prizren: Nuk e dinim që sulmuam konsullatën turke

29.11.2016 19:53:10

Të arrestuarit për sulmin e djeshëm ndaj Konsullatës Turke janë arsyetuar sot para Gjykatës së nuk e kanë ditur se cilin objekt po e sulmojnë. Këto deklarata të arrestuarit i kanë bërë para gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore të Prizrenit ku prokurori kërkoi që ndaj tyre të shqiptohet masa e paraburgimit.

I. Saramati, E. Saramati, B. Saramati, E. Saramati dhe B. Badallaj janë pesë personat e arrestuar nga policia nën dyshimin se janë autorët e sulmit të 28 nëntorit ndaj Konsullatës Turke në Prizren.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e paraburgimit për pesë të arrestuarit.

Ata dyshohen për veprën penale shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.

Në kërkesë përshkruhet vepra të cilën të arrestuarit e kanë bërë ditën e 28 nëntorit, Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë.

“Më datën 28.11.2016 rreth orës 04:21 minuta në Prizren, në rrugën “Remzi Ademi “ pikërisht në objektin e Konsullatës Turke në bashkëveprim shkaktojnë rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurinë në atë mënyrë që duke ndezur fitilat  e dy shisheve me mollotov i hedhin në drejtim të dritareve të konsullatës, gjithashtu hedhin edhe gurë në drejtim të objektit të njëjtë ku si pasojë e këtij sulmi është thyer një xham i një dritareje dhe është shkaktuar tymosje e murit dhe ikin nga vendi i ngjarjes”, thuhet në kërkesë.

Prokuroria ka dhënë edhe arsyet se pse të arrestuarit duhet të shkojnë në paraburgim përderisa tani më të arrestuarit janë në qendrën e ndalimit policor, në Prizren.

Organi i akuzës pretendon se të arrestuarve duhet t’u caktohet paraburgimi pasi që ndaj të pandehurve ka filluar hetimi në lidhje me sulmin ndaj Konsullatës Turke.

Kërkesa e prokurorisë për paraburgimin e të dyshuarve për sulm ndaj Konsullatës Turke në Prizren.

“Se në rastin konkret kanë filluar hetimet ku duhet të dëgjohen të pandehurit, përfaqësuesi i të dëmtuarës- Konzulatës Turke dhe dëshmitarët eventual, dhe dyshohen se personat e ndaluar mund të asgjësojnë fshehin ose falsifikojnë provat e veprës penale ose rrethanat e posaçme, tregojnë se ata do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë”, thuhet më tutje në kërkesë.

Prokuroria si arsye tjetër përcaktimin e paraburgimit e paraqet edhe për peshën e veprës penale.

“Duke pasur parasysh peshën e veprës penale sepse është sulmuar objekti i cili përfaqëson një shtet tjetër mënyrën ose rrethanat në të cilën është kryer vepra penale tregojnë rrezikun se të njëjtit mund të përsërisin veprat e natyrës së tillë penale”, thuhet në fund të kërkesës.

Sulmi ndaj Konsullatës Turke u bë gjatë ditë së djeshme, ndërsa sot Policia e Rajonit të Prizrenit ka arrestuar edhe një person tjetër pas publikimit të një video incizimit, në të cilën shihet një person tek heq flamurin turk nga një shtyllë.