Të enjten vendoset për afatet e provimeve në UP

14.11.2016 17:44:11

Senati i Universitetit të Prishtinës do ta japë fjalën e fundit rreth mënyrës së organizimit të afateve të ardhshme për provime, në mbledhjen e caktuar për këtë të enjte.

Të përcjellë nga protestat dhe peticionet e studentëve si shprehje e pakënaqësisë me mënyrën e organizimeve të afateve, komisioni vlerësues i UP do të dalë me gjetje të asaj se si ka funksionuar afati eksperimental i shtatorit.

Këtë vit, Senati i UP kishte vendosur si pilot projekt, që të largohen afatet e parregullta (prilli dhe tetori), për tu zëvendësuar me të ashtuquajturat apele.

Mënyra e funksionimit të këtij afati konsiston me nga dy mundësi të nënshtrimit në provim brenda afateve të rregullta ( janar, qershor, shtator), por me kusht që në mundësinë e dytë të hyjnë vetëm studentë që nuk kanë marrë notë kaluese në provim.

Kjo nuk ju ka pëlqyer aspak një pjesës së studentëve, përkatësisht atyre të Fakultetit të Mjekësisë të cilët muajin kaluar protestuan para Rektoratit të UP-së duke dërguar një peticion të nënshkruar nga 2000 studentë për mosvazhdimin e këtij, siç e quanin ata, ‘eksperimenti’.

Megjithatë, Esat Kelmendi, sekretar i përgjithshëm i UP-së, tha për KALLXO.com se ka qenë duke u bërë një vlerësim i mënyrës se si ka funksionuar afati i shtatorit për t’u vendosur më pas për afatet e ardhshme.

“Këtë të enjte vendoset nga Senati, do të shihet se sa ka funksionuar afati i shtatorit dhe do të merret një vendim i përgjithshëm për të gjithë fakultetet”, tha Kelmendi.

Megjithatë, studentët e mjekësisë kërkojnë që t’i ipet mundësia për një rregullore të veçantë për fakultetin e tyre.

“Kërkojmë të ndalen eksperimentet me afate. Ne kërkojmë rregullore për Fakultetin e Mjekësisë që na garantohet me statut dhe dëshmohet me nënshkrimet e studentëve në këtë peticion”, tha Kryetari i Unionit të Studentëve të Mjekësisë, Gëzim Mehmeti.

Ata gjithashtu kanë paralajmëruar protesta të mëtejshme nëse peticioni dhe kërkesat e tyre nuk merren parasysh.