Të gjithë anëtarët e bordit të “Ibër-Lepencit” që u shkarkuan sot janë të afërt me LDK-në

08.05.2018 21:22:20

Qeveria e Kosovës i ka shkarkuar sot katër anëtarë të bordit të Ndërmarrjes Ibër-Lepenci, me propozim të ministrit të Zhvillimit Ekonomik.

Me vetëm tri abstenime është marr vendimi i qeverisë, ndërsa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka paralajmëruar se zëvendësimi i tyre do të bëhet nga lista e pritjes, pra nuk do të ketë konkurs të ri.

“Plotësimi i bordit bëhet me anëtarët e bordit që kanë qenë në listën e pritjes”, tha Haradinaj pas interesimit të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri nëse do të ketë konkurs të ri.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se e përkrah propozimin e ministrit Lluka pasi këta anëtar të bordeve e kanë shkelur një vendim të ministrit.

“Ka diçka që më bon me përkrah vendimin e ministrit Lluka, nëse ky i shkruan një kompanie mos i boni këto e ata i bëjnë, unë qëndrojë prapa ministrit. Këto ndërmarrje kanë pas liri të tepërt, si rasti i Telekomit”, ka thënë Haradinaj.

Por kush janë këta katër anëtarë të bordit që u shkarkuan sot?

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka për shkarkimin e katër anëtarëve të bordit e ka përdorur si pretekst një vendim të këtij bordi ku ndër tjerash parashihej rritja e pagave dhe marrja e pagës së 13-të për të gjithë punëtorët e ndërmarrjes “Ibër Lepenc”.

Ministri Lluka, në arsyetimin e vendimit për shkarkim e katër anëtarëve të Bordit, është nisur nga vendimi i tyre që ishte në kundërshtim me vendimin e tij për ndalës të bonuseve, si dhe kompania kishte humbjes mbi 4 milionë euro të kësaj ndërmarrje vitin e kaluar. Bordi i Iber-Lepencit kishte marr vendim për ndarjen e shpërblimit në lartësi prej 50% të honorarit themelor vjetor për anëtarët e Bordit të Drejtorëve për vitin 2017, si dhe pagë mujore shtesë (paga e 13-të) për të gjithë të punësuarit e Ibër Lepencit, shkruan lajmi.net.

Të gjithë këta anëtar që janë shkarkuar sot janë të afërt me zyrtarë të lartë të LDK-së.

Anëtarët e shkarkuar janë: Fatos Salihi, Albina Maloku, Imer Hamiti dhe Sami Veliu.

Kryesues i bordit të “Ibër-Lepencit” i shkarkuar sot, Fatos Sahiti, është i afërt me LDK-në. Ai është vëllai i gruas së ish-ministrit të Infrastrukturës Lutfi Zharkut.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e padëshirueshme në bord dhe e shkarkuar është Albina Maloku. Ajo është motra e Vlora Dumoshit.

I afërt me LDK-në është edhe Imer Hamiti, ish-kryesues i Bordit në “Termokos”. Po ashtu, edhe Sami Veliu është i afërt me LDK-në. Ai është vëllai i Agim Veliut, nënkryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Në anën tjetër, dy anëtarë të rinj i janë shtuar disa javë më parë bordit të Ndërmarrjes Publike “Ibër-Lepenc”, kur Qeveria e Kosovës emëroi në bordin e kësaj ndërmarrjeje ish-kandidatin për deputet të Kuvendit të Kosovës nga PDK, Muharrem Xhemajlin dhe Liridon Zogianin, po ashtu i afërt me Partinë Demokratike.