Të harruara nga institucionet ato vdesin në varfëri

Të harruara nga institucionet ato vdesin në varfëri

16.04.2017 11:18:19

Viktimat e dhunës seksuale ende mbesin në pritje të marrjes së pensionit edhe kaq vite pas përfundimit të luftës. Megjithëse ligji për të rënët, invalidët, luftëtarët e UÇK-së dhe viktimat e dhunës seksuale të luftës, u miratua në Kuvendin e Kosovës, tri vite më parë, ende nuk ka filluar të zbatohet, sa i përket viktimave të dhunës seksuale.

Ligji i cili për herë të parë pas kaq vitesh, ka njohur statusin e viktimave të dhunës seksuale

gjatë Luftës në Kosovë, është dashur të përcillet edhe me hapin konkret për krijimin e Komisionit Qeveritar, që do të përkujdesej për këtë kategori, por ky komision ende nuk është funksionalizuar dhe kjo ka ngjallur reagime të shoqatave dhe shoqërisë civile.

Drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti ka thënë për KosovaPress se ka ngecje në këtë proces dhe se procesi është zvarritur, siç u është thënë për shkak të statistikave të ndryshme.

Ajo thotë se megjithëse flitet për mbi 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës, numri i atyre që do t’i qasen këtij komisioni, është dukshëm më i vogël dhe se nuk do të krijojë probleme buxhetore.

“Ne mendojmë se edhe në këtë komision nuk do të jetë numër më i madh se 500 ose 1 mijë veta. Pra nuk do të ketë asi far lloj frike që kjo kategori e luftës do ta marrë një buxhet shumë të madh, që buxheti i Kosovës mos të arrijë ta përballojë. Deri më tani këtu ka qenë një lloj dileme se si me i trajtu, qysh me rialoku buxhetin. Po ashtu kemi pasur takime me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale, zotin Abrashi, i cili është zbatues i këtij ligji. Ka pasur edhe takime direkte me vet të mbijetuarit e dhunës seksuale, ku ka premtuar që në vitin e kaluar, që fillimi i këtij viti veç do të jetë në funksion të tyre me krijimin e këtij komisioni, por deri më tani nuk kemi ndonjë lëvizje pozitive ose një kohë të caktuar për krijimin dhe funksionalizimin e komisionit të sekretariatit dhe pastaj rialokimin e buxhetit për pensionin personal për viktimat e dhunës seksuale”, tha ajo.

Rushiti thotë se institucionet kanë lënë anash këtë kategori kaq të ndjeshme dhe se buxheti mbetet pengesë. Ajo thotë se vonimi i mëtutjeshëm i këtij procesi do t’i frustrojë dhe tensionojë gratë viktima të dhunës seksuale.

“Duhet ta kemi të qartë se institucionet i kanë lënë anash që nga viti 1999. Vetëm në vitin 2014, do me thanë 15 vite me radhë ka pas heshtje institucionale për këtë grup të ndjeshëm shoqëror, ka qenë një lloj mohimi që kanë ekzistu dhe si kategori, me të thënë të drejtën. …Ne e pritem me shumë admirim amandamentimin e ligjit, me idenë që pas 6 muajve siç shkon dhe me rregullore, duhet të dalin ato akte administrative ku e zbatojnë, e zbërthejnë zbatimin e ligjit në praktikë…. Çdo gjë është e përgatitur, vetëm duhet që me një vendim të veçantë të funksionalizohet komisioni, i cili tani më është i përzgjedhur dhe është përzgjedhur një komision shumë profesional, apolitik, që me të vërtetë mendojmë që këtë kategori ka me e trajtuar ashtu siç e meriton. Mirëpo po ka hezitime në kuptimin e rialokimit të buxhetit, dhe për ne është shqetësuese e aq më shumë është shqetësuese kur veç po i fillojmà « spotet televizive, për kampanja parazgjedhore. Në qoftëse do të kemi zgjedhje të parakohshme ne do të frikohemi që kjo çështje do të shtyhet edhe një vit apo dy vite me radhë, çka dhe do ta humb dhe kuptimin se disa nga ato po vdesin, po vdesin për shkak të pasojave dhe s’janë përfitues të këtyre skemave. Pra, ne edhe ashtu jemi të vonuar në proces, në qoftëse dhe këtë vit jemi të vonuar ose shkojmë në zgjedhje të parakohshme do t’i frustrojmë mjaftë dhe do t’i tensionojë raportet në këtë grup dhe do të ia agravoj hala më shumë pasojën e luftës që këto gra e bartin me vete tash e 17 vjet në liri… Tani është një lloj amullie, heshtje dhe ende nuk po dihet a ka me u funksionalizu, a ka ndonjë datë të paktën se kur do të jetë në funksion ky komision në raport me verifikimin dhe dokumentimin është shqetësues për të gjithë viktimat e mbijetuar të dhunës seksuale”, tha ajo.

Por ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi pohon se tashmë janë në hapat final për funksionalizimin e komisionit. Ndërsa, thotë se buxheti nuk është pengesë por janë disa çështje procedurale, nëpër të cilat duhet të kalojnë.

“Jemi në hapat final. Realisht ministria së bashku me institucionet tjera përkatëse që kanë qenë në panel të intervistimit të komisionit, ka dorëzuar emrat e aplikuesve të suksesshëm pranë Qeverisë së Kosovës, dhe ne presim që në një prej mbledhjeve të ardhshme të jetë në rend dite dhe të funksionalizohet si i tillë. Çështja e fundit për sa kam parë pyetjet dhe përgjigjet nga sekretariati i Qeverisë është sepse është mbetur të diskutohet, sa do të jetë pagesa, ose vlera e kompenzimit të anëtarëve të këtij komisioni, që është një çështje shumë teknike dhe nuk ka ndikim të madh buxhetor. Pra ne presim që në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë, komisioni të funksionalizohet dhe pas këtij funksionalizimi t’i presim dhe aplikacionet për viktimat… Pra prej se e kemi marrë mandatin, ne kemi punuar si ministri që të funksionalizojmë këtë komision, janë çështje procedurale nëpër të cilat duhet të kalojmë” , tha ai.

Ndryshe, ligji për vlerat e luftës që i trajton dhe kategoritë tjera të luftës, është amandamentuar në mars të vitit 2014./KP