Të ndalet histeria ndaj përfaqësueses së Kosovës!

06.10.2016 23:08:15

Humbja e përfaqësueses së Kosovës nga kombëtarja kroate me rezultat 0:6, ka bërë që të shpërthejnë lloj-lloj mllefi, cinizmi dhe histerie kundër ekipit tonë. Edhe pse në aspektin psikologjik kjo shpjegohet me zbrazje të ngarkesës emocionale, e që në aspektin e higjienës mentale bën mirë, megjithatë duhet pasur kujdes që shfrimet të mos jenë të tepërta, të pakontrolluara dhe rënduese për përfaqësuesen e Kosovës. Gjatë tërë ndeshjes është vërejtur se futbollistët e përfaqësueses së Kosovës kanë cilësi tekniko-taktike dhe kanë krijuar shumë raste. Për një përfaqësese që ka shënuar rezultat pozitiv në ndeshjen e parë kualifikuese dhe që i ra të ndeshjej me skuadrën që ka arritur që të jetë edhe e katërta në një kompeticion ndërkombëtar, ka qenë e qartë se ngarkesa emicionale dhe mungesa e përvojës do të bëjnë efektin e vet. Sigurisht se askush nuk e kemi pritur një rezultat të tillë, por sporti i ka këto, gara i ka këto. Përfaqësuesja e Kosovës është një skuadër e re, edhe me futbollistë të rinj, por gjithsesi kanë nevojë për një trajner që do të dijë të bëjë bashkë afësitë individuale të futbollistëve, t’i motivojë dhe t’i shkarkojë emocionalisht dhe përgjithësisht psikologjikisht. Dhe derisa nuk ndodhë kjo, duhet të kuptojmë se futbollistët nuk kanë përgjegjësinë që u mveshet, as nuk meritojnë histerinë, cinizmin dhe poshtërimin që po u bëhet./fokusi.org