Të paktën tre ushtarë të vrarë në lindje të Ukrainës

18.08.2016 18:45:14

Tre ushtarë ukrainas u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën gjatë konfrontimeve midis separatistëve pro rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës, njoftoi sot një zëdhënës ushtarak në Kiev.

“Herën e fundit që kemi konstatuar të shtëna të vazhdueshme si dhe përdorimin e artilerisë së rëndë daton një vit më parë”, deklaroi Olexandre Motouzianyk gjatë një konference shtypi duke njoftuar se tre ushtarë ukrainas u vranë dhe gjashtë të tjerë u plagosën gjatë 24 orëve të fundit.

“Një ditë më parë, situata në zonën e operacionit anti-terrorist është përkeqësuar sërish. Rebelët kanë dyfishuar numrin e sulmeve kundër vendstrehimeve tona”, pohoi ai.  Presidenti ukrainas, Petro Porochenko konfirmoi sot përshkallëzimin e situatës në vend.