Të Panairi i librit “Prishtina 2018”-Romani “Vegim” i Ardian Haxhajt, më i miri në edicionin e 20-të

21.07.2018 20:03:23
Nga Behar Gjoka

Romani “Vegim” me autor Ardian Haxhajn, botuar nga Botimet KOHA, ka fituar çmimin për “Romanin më të mirë” në edicionin e sivjetmë të Panairit të librit “Prishtina 2018”. Ky roman, që bën pjesë në tetë titujt e rinj, të cilët Botimet KOHA i sjell në edicionin jubilar të ngjarjes së librit, shpërfaq dhimbjen gërryese të njeriut përballë terrorit dhe kaosit. Është një refleksion për traumën kolektive të një shoqërie të rrënuar nga dhuna.

Të premten mbrëma juria, në përbërje të Behar Gjokës, kryetar, dhe anëtarëve Abdullah Zeneli e Izet Syla, çmimin për “Përkthimin më të mirë” ia ka ndarë Mal Berishës për përkthimin e librit “Naltësimi i Iskanderit”, po ashtu botuar nga Botimet KOHA, shkruan sot Koha Ditore.

“Autori i vitit”, sa i përket letërsisë shqipe, është shpallur Adem Gashi për veprën “Drenusha e trembur dimrash”, ndërsa sa i përket letërsisë së huaj, ky çmim i ka takuar francezit François-Henri Désérable për veprën, “Njëfarë Z. Piekyelny” , botuar në shqip nga shtëpia botuese “Buzuku”. Treshja e jurisë në ceremoninë tashmë tradicionale të ndarjes së çmimeve në edicionin e 20-të të Panairit të Librit “Çmimin special” ia ka dhënë aktorit e shkrimtarit Çun Lajçi, atë për “Letërsinë për fëmijë” Viktor Canosinajt, “Çmimin për poezi” Majlinda Nana-Ramës për librin “Lulet e egra”, “Çmimin për kritikë e publicistikë” Ardian Vehbiut, për librin “Fjalë për fjalë”, “Çmimin për vepër të veçantë” Ermira Gjonmaqit, për librin “Përtej harrimit”. Shtandi më i vizituar është shpallur ai i librarisë e shtëpisë botuese “Artini” nga Prishtina.