Të rinjtë: Dialogu nuk solli rezultate (Video)

29.01.2017 10:08:37

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, nuk po ndihmon në përmirësimin e raporteve reciproke. Ky dialog, nuk po sjell rezultate as për qytetarët, thotë të rinjtë.

Ejona Hoxha, studente në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri tash procesi nuk ka ndihmuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve, por, siç shprehet ajo, ndoshta në të ardhmen gjërat do të ndryshojnë.

“Nuk merrem shumë me politikë, por thjesht e di që nuk ka ndihmuar se qe sa vite, deri tash është dashur të ketë ndonjë ndryshim. Edhe thjesht nuk e di nuk ka ndihmuar asgjë, por shpresoj se do të bëhet mirë. Optimizmi është mbi të gjitha”, shprehet Ejona.

Qëndrim Morina, student në Fakultetin e Arteve, thotë se dialogu do të duhej të ndihmonte në radhë të parë rreth lëvizjes së lirë të qytetarëve.

“Deri më tani unë, personalisht, nuk kam parë ndonjë rezultat. Po ashtu, nuk kam parë ndonjë rezultat as pas marrëveshjeve të arritura. Normalisht që [dialogu do ishte dashur ] të ndihmojë në përmirësimin e raporteve ndërmjet dy vendeve”, thotë Qëndrimi.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, konsiderojnë se pavarësisht disa pengesave dhe vështirësive, dialogu ka dhënë rezultate.

Anduena Halilaj, studente që studion Antropologjinë, mendon se dialogu nuk ka dhënë rezultatet e pritura.

“Mendoj se nuk është në rregull të vazhdojnë bisedimet derisa po ndodhin ngjarje si ato të fundit. Asgjë nuk po kemi të mirë nga ato bisedime, mendoj se nuk duhet vazhduar. Mendoj se duhet të ketë marrëdhënie më të mira ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve dhe sigurisht edhe lëvizje të lirë”, konsideron Anduena.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, vazhdon të jetë një nga temat që dominon skenën politike në Kosovë.

Egzon Rexhepi që studion në Universitetin e Prishtinës për Shkenca Kompjuterike thotë se dialogu politik me Serbinë, për Kosovën dhe qytetarët e saj nuk ka sjellë përftim në asnjë rast.

“Deri tash, ne si qytetarë, nuk e besoj që kemi pasur ndonjë përfitim prej atij dialogu, që është një dialog që do të zgjasë edhe më shumë. Nuk pres që në të ardhmen të ketë ndonjë përmirësim. Çka do të ishte dashur të kishte, mendoj në radhë të parë sovraniteti deri aty ku i kemi kufijtë dhe reciprocitet me palën serbe”, thotë Egzoni.

Kurse, Bujamir Hoxha thotë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është duke i dëmtuar shumë procese, nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.

“Kosova nuk është duke e arritur asnjë sukses me këtë çka është duke e bërë. Serbia është duke i bërë të gjitha gjërat e këqija për Kosovën edhe ne prapë po shkojmë dhe bëjmë dialog me Serbinë. Në dialog nuk po bisedohet për dëmet e luftës së ashpër, për të pagjeturit. Institucionet duhet të jenë të vetëdijshme dhe të kenë masë reciprociteti me Serbinë”, thekson ai.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës thonë se sjellja e Qeverisë së Serbisë në raport me dialogun dhe me qasjen e përgjithshme që synon normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, kanë qenë destruktive dhe ato po vazhdojnë të jenë të tilla.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zhvillohet në Bruksel në nivelin politik dhe atë teknik dhe po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Qëllimi i këtij dialogu, sipas Brukselit, është normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, normalizim ky që është vënë edhe si kusht për të dyja vendet në procesin e integrimit të tyre në Bashkimin Evropian.