Shqipëri/ Të sakatuar dhe të sëmurë, minatorët protestojnë poshtë zyrës së Ramës: Na mashtrove!

24.04.2019 11:24:10

Dhjetëra minatorë janë mbledhur dje përpara zyrës së kryeministrit Edi Rama për të protestuar. Edhe pse statusi i minatorit u është premtuar atyre nga qeveria shumë kohë më parë, ende ky premtim nuk është mbajtur.

“Më vjen keq që na mashtrove para një viti. Sot bëhen një vit e shtatë ditë. Vajtëm në Pogradec, e iu thamë minatorëve të Pogradecit që kryeministri jonë bëri një marrëveshje me ne dhe do miratojë statusin. Po na vjen zor prej minatorëve të Pogradecit që t’u dalim para se s’dimë çfarë tu themi.

Mjaft me këto mashtrime se është gjynah. Janë të gjithë të sakatuar, të gjithë të sëmurë.

Edhe unë që të flas këtu jam një i sakatuar nga miniera, kurse ju nuk doni ta dini fare. Unë gjysmat e këmbëve i kam këtu e gjysmat i kam lënë atje. Po na vjen dhe koha e votimeve zoti kryeministër, e do dimë ç’të bëjmë me ju. Nëse s’miratohet statusi i minatorit, bëj thirrje: Në emër të minatorëve të Pogradecit asnjë nga sindikata e minatorëve mos të votojë. Simpatizant i të majtës kam qenë por po shoh se po gabohemi e kemi gabuar shumë”, tha një prej protestuesve.

Minatorët thonë se do të qëndrojnë përpara Kryeministrisë e nuk do të largohen pa i dhënë një zgjidhje problemit të tyre. “Rama vetëm na ka gënjyer, nuk është bërë asgjë për ne”, është shprehur një nga minatorët.

Ata paralajmërojnë se do të vijojnë me protestat, derisa statusi i minatorit të miratohet.