Të shtënat me armë zjarri në ahengje familjare, rrezikojnë jetën e qytetarëve

08.08.2019 15:37:03

“Festo me zemër e jo me armë”, vazhdon të mbetët vetëm njëra nga kampanjat për vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket përdorimit të armëve. Pasi që, në sezonin e verës, në po thuajse çdo dasmë apo ndonjë aheng familjarë, qytetarët festojnë me armë.

Si pasojë e përdorimit të këtyre armëve, shumë persona kanë pësuar lëndime e disa prej tyre edhe nuk kanë mundur të iu mbijetojnë plagëve të marra.

Por e gjithë kjo, nuk ka ndikuar në vetëdijesimin e qytetarëve sa i përket festimit me armë.

Policia e Kosovës, për gjatë muajit korrik ka arrestuar disa persona, të cilët kanë rrezikuar jetën e qytetarëve duke shtënë me armë zjarri në ahengje familjare, dhe po ashtu ka bërë konfiskimin e  shumë armëve.

Përveç, pjesëmarrësve në dasma apo ahengje familjare, të rrezikuar nga plumbat qorr janë edhe qytetarët përreth vendit ku po festohet. E një rast të tillë e ka treguar një lexues i Telegrafit, i cili ka dashtë të jetë anonim.

Ai ka treguar se në oborrin e shtëpisë së tij në Mitrovicë, ka gjetur një gëzhojë të një plumbi.

Ai ka thënë se gëzhojën e ka gjetur në njërën nga ulëset e tyre, dhe se fatmirësisht nuk ka pësuar dikush nga familja e tij.

Po ashtu ai ka shprehur shqetësimin e tij për përdorimin e armëve në ahengje familjare.