Të sulmosh Hashim Thaçin e të kursesh Kadri Veselin dhe SHIK-un, është pabesi ndaj vendit dhe ndaj të vrarëve politikë

02.04.2018 23:34:45

Nga Rexhep Kastrati

Haki Abazi, apo Hakiu i Rokfelerëve, 20 vjet pas masakrës ndaj familjes Jashari, dhe kur Hashim Thaçi është duke dhënë shpirt si politikan, ia paska numëruar disa gjëra, që i janë thënë që 20 vjet nga të tjerët.

Mirëpo, ky farë Hakiu nuk ka thënë kurrë se ku ka qenë deri tash? Ku ka qenë kur vriteshin politikanë, ushtarakë e gazetarë, por qenka kujtuar vetëm tash kur edhe bashkëpunëtorë të Hashimit, për të shpëtuar kokën e tyre, e kanë braktisur? Ky farë Hakiu, ndërkaq, asnjë fjalë nuk thotë për Kadri Veselin, shefin e SHIK-ut, shokun dhe bashkëvepruesin e Hashim Thaçit. Nuk thotë asnjë fjalë për njeriun e akuzuar drejtpërdrejt për vrasjet politike. Dhe nuk është vetëm Haki Abazi që nuk thotë asnjë fjalë për Kadri Veselin, por edhe do farë mjeranësh dhe veglash të Hashimit e të Kadri Veselit, por që veten e quanin rugovistë, nuk po e thonë asnjë fjalë për Kadri Veselin, dhe nuk e akuzojnë më për vrasjet politike. Dhe të mendosh Hashim Thaçin pa hijen e Kadri Veselit, është të tregohesh idiot, ose vegël e Kadri Veselit. Po pse nuk përmend kush Kadri Veselin? Pse nuk ka më akuza kundër tij? E vërteta është se Kadri Veseli i ka në grusht të gjithë dhe ua ka dredhur të gjithëve! E vërteta është se Kadri Veseli kontrollon klasën politike në Kosovë, kontrollon mediet dhe kontrollon shoqërinë civile.

E vërteta është se në proceset në Kosovë, e që mund ta cenojnë PDK-në, ka një angazhim të plotë për ta paraqitur Kadri Veselin si liderin kryesor në Kosovë. Dhe për këtë është shpikur një konflikt ndërmjet Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, e në të cilin partitë politike, mediet dhe shoqëria civile kanë marr anën e Kadri Veselit. Mirëpo, e vërteta është se për çdo të keqe në Kosovë, që mund të lidhet me emrin e Hashim Thaçit, aty duhet të jetë edhe emri i Kadri Veselit. A nuk e kishte pranuar Jakup Krasniqi kur ishte sekretar i përgjithshëm i PDK-së se SHIK punonte për PDK-në? Po a nuk e akuzonin Kadri Veselin dhe SHIK-un për vrasje politike? Po a nuk ishin larguar Fatmir Limaj dhe Jakup Krasniqi nga PDK për shkak se Hashimi kish avancuar Kadri Veselin në pozitën e nënkryetarit të kësaj partie? A nuk kishin bashkëvepruar kundër Qeverisë “Mustafa”, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli? Është e vërtetë se proceset e tilla si ai Gjykatës speciale dhe procese të tjera, shokët dhe ish-shokët i kanë vënë në siklet, e që e kam thënë që sa vite, por megjithatë përgjegjësia për ato për të cilat akuzohet Hashim Thaçi, është edh e Kadri Veselit. Po ashtu, është e qartë se kadri Veseli ka një mision për t’i çuar shokët he ish-shokët në burg, dhe këtë e kam thënë që sa vite, por megjtihatë është vetëm hipokrizi dhe vegëlzim i tij, çdo kursim nga përgjegjësia për ato që është akuzuar me vite, sidomos sa i përket krimit politik.

Dhe hilja është pikërisht këtu: për t’i hapur terren Kadri Veselit, të gjtihë janël bërë me të, madje edhe veglat kondomë brenda e rreth LDK-së, madje janë bërë edhe ata që me vite i thurnin ditirambe Hashim Thaçit, që bënin luftë speciale kundër LDK-së dhe presidentit Rugova për llogari të Hashim Thaçit. Çdo kush ka mundur ta vërejë se Berati i Bashorit udhëheq një fushatë kundër Hashim Thaçit për llogari të Kadri Veselit, kurse Baton Haxhiu ose është shukatur, ose është shumë i zbehtë në këtë drejtim. Pra, të gjithë ata që gjatë viteve, pse jo edhe gjatë dekadave bënin fushatë afirmative, që e lartësonin Hashim Thaçin, e që zhvillonin luftë speciale për llogari të tij, tash janë kthyer në kritikues të ashpër të tij, jo thjesht për mëkatet e tij, jo për të këqijat që i ka bërë ai, por për të hapur një kapitull të ri dominimi në politikën tonë, kësaj radhe nga Kadri Veseli, e që në fakt është një angazhim për vazhdimin e dominimit të politikës nga e njëjta linjë. Dhe përgjegjësia morale, profesionale dhe shoqërore, e pse jo edhe politike e çiftave të Hakiut, të Beratit dhe e të tjerëve si këta për fushatë për llogari të Kadri Veselit, është po aq e madhe, madje edhe më e madhe sesa përgjegjësia për fushatë edhe më agresive për afirmimin e Hashim Thaçit.

Dhe kjo vlen edhe në rastin e gjashtë gylenistëve, pasi që është shumë idiotike të thuash se Hashim Thaçi po do të na prish me Turqinë, kur shumë nga ata që e thonë këtë, në fakt e kanë akuzuar këtë si vëlla të Erdoanit, për përfshirje të përbashkët në privatizime në Kosovë, bashkë me të afërm të Erdoanit, dhe për afërsi të plotë me këtë të fundit. Ndërkaq, askush nuk po e thekson se Kadri Veseli nga pozitat e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, pra të zyrtarit që nuk ka ndonjë përgjegjësi ekzekutive, e së këndejmi as mundsëinë për të penguar apo nxitur deportimin e tyre, ka folur si të ishte personi kryesor, babai i Kosovës dhe me një stil gati përgjërues lidhur me rastin e gjashtë gylenisëtve. Ndërkohë Kadri Veseli në asnjë rast nuk është përmendur apo nuk është akuzuar nga Rexhep Taip Erdoan për deklarata të tilla. Në fakt ky rast, pra mosakuzimi i Kadri Veselit nga ana e Rexhep Taip Erdoanit, dhe lavdatat e pakursyera ndaj Hashim Thaçit, si dhe sulmet ndaj Ramush Haradinajt, do të duhej të shtynin njerëzit të mendojnë dhe të shtrojnë pyetjen: pse vallë? Pse është kursyer kadri Veseli nga Erdoan, edhe pse ka qenë shumëfish më kritik se Ramush Haradinaj? A mos vallë edhe i ashtuquajturi konflikt ndërmjet Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit mund të jetë i inskenuar, ose jo në ato përmasa siç paraqiten në opinion?