Të vësh bast mbi regjime fetare (Irani dhe Turqia) në emër të stabilitetit, po na lë pa asnjë plan B

23.07.2016 23:04:33

“Il Foglio”

Në kohën e ndarjeve të thella, ku “një xhihadist i radikalizuar shumë shpejt” ngjan disi i ndryshëm nga një i indoktrinuar përgjatë shumë viteve, edhe pse si përfundim shkakton një masakër me vdekjen e 84 personave, në stinën e kompromiseve ku po ecet me hapa të vegjël, duke kërkuar të përshtatesh me rrethanat, Perëndimi po përballet me nuancat e diktaturave, nga regjimeve me islam të moderuar e deri tek regjimet autoritare, që qeverisen nga ekstremistë fetarë. Grusht-jogrushti i shtetit në Turqi zbuloi hipokrizinë dhe sikletin me të cilin bashkëjetojmë prej vitesh – shtegu autoritar i Erdoganit, i nisur prej vitesh, tashmë po tremb me ato shifrat e frikshme të hakmarrjes, çka ka shtyrë komunitetin ndërkombëtar të ngrejë pyetje (në heshtje) se cili do të ishte në fakt rezultati i duhur për të cilin duhej bërë tifo. U vu bast për Erdoganin, njësoj si një vit më herët u vu bast mbi Iranin, në emër të një stabiliteti që në fakt s’është realizuar asnjëherë. Perëndimi s’është më i sigurt, është thjesht më i vetmuar. Shumë analistë, që në vitet e luftës në Irak shpresonin tek një zbrapsje e “imperializmit amerikan”, duke ëndërruar një botë ku superfuqia s’do ishte më aq super, tashmë mund të themi se janë kënaqur: Amerika është më pak udhëheqëse, por në boshllëkun e krijuar, përqindja e suksesit ka ardhur duke u ulur. Marrim si shembull Iranin. Askush s’e konsideron Republikën Islamike një lidership të moderuar, edhe vetë presidenti Obama shpeshherë ka përsëritur se Teherani është një sponsor i terrorizmit ndërkombëtar e që çdo hapje drejt tij, duhet të ketë një verifikim, para se të procedohet me “zhdoganimin” e plotë. Por “pastrimi” i udhëheqjes iraniane nga çdo lloj gjurme fetare (qenia e saj fryt i një revolucioni islamik, çon në fakt gjithçka në një kundërsens) solli bastin e Perëndimit për të mbështetur futjen e iranianëve në tregjet ndërkombëtare, solli fundin e izolimit të Teheranit, dhe shitjen e tij si një varian i moderuar. Ditëve të fundit, gazetat amerikane i kushtuan hapësirë të gjerë njëvjetorit të akordit “historik” që i lejoi Teheranit akses në një road map të programit të pasurimit të uraniumit; pak komentatorë zbresin në detaje (a ka funksionuar apo jo marrëveshja?), por merren me “kapacitetin vizionar të adminsitratës Obama për ta rrëzuar këtë mur” (me Iranin). Duan ta fitojnë me çdo kusht bastin e vënë, edhe pse bilanci njëvjeçar i këtij akordi është plot dritëhije. Sipas shumë raportimeve, dhe sipas departamentit të shtetit amerikan, Irani ka pranuar t’i kontrollohen 19 mijë centrifuga nëpër centralet e tij (edhe pse kampionet e analizuara përcaktohen nga autoritetet iraniane). 98 përqind e uraniumit të pasuruar ka dalë nga vendi nën mbikëqyrjen e inspektorëve ndërkombëtarë. Departamenti amerikan i thesarit thotë se Irani ka hapur 300 llogari të reja rrjedhëse në bankat e huaja, ka negociuar miliarda në linja krediti ndërkombëtare dhe ka gëzuar një rritje eksponenciale të investimeve të huaja (më shumë evropiane se amerikane). Teherani ankohet se mjaft prej sanksioneve që janë në fuqi ende s’janë hequr, por të dhënat e biznesit iranian rrëfejnë për një nivel të lartë të depërtimit të iranianëve në tregjet ndërkombëtare, një nivel i paparë më përpara.