Të vetmen ndihmë që mund t’ia ofrojnë Kosovës ambasador Minxhozi dhe Qeveria e Tiranës është të mos ia ngulin thikën mbas shpine si më 1944 dhe më 1999

27.01.2017 10:26:39

Nga Rexhep Kastrati

Ambasadori Minxhozi qenka shprehur se shteti shqiptar do të ndërhyjë në mbrojtje të shqiptarëve në rast lufte me Serbinë dhe se nuk paska Kosovë dhe Shqipëri, por vetëm shqiptarë! Për retorikën patriotike populiste, një deklaratë e tillë do të konsderohej si shkalla më e lartë e patriotizmit, por për kontekstin juridiko-kushtetues të Kosovës, për kontekstin gjeopolitik e gjeostrategjik, nj deklaratë e tillë është e pavend, për të mos thënë edhe e dëmshme. Është kështu për faktin se është e qartë se i vetmi vend që realisht do luftë në rajon është Serbia, dhe i vetmi vend që po mundohet me të gjitha mënyrat të nxisë dhe të forcojë retorika dhe angazhime luftënxitëse në Kosovë, është Serbia dhe dy linjat kundërkombëtare: linja e Tiranës/Kretës dhe ajo udbasho-jugosllavokomuniste. Pra, tashmë e dinë të gjithë, se Serbia është e interesuar që në Kosovë dhe nga Kosova të ketë angazhime luftënxitëse, e jo që Serbia të fillojë e para. Dhe arsyeja se përse po synon kështu ka të bëjë me faktin se një marshim i Serbisë drejt Kosovës do të nxiste reagimin e NATO-s, që do ta pengonte atë. KFOR-i është i vetmi institucion ushtarak në Kosovë që garanton pacenueshmërinë dhe sigurinë nga ndonjë invazion i jashtëm. Në këtë kuptim, ambasadori Minxhozi e di se një luftë e Serbisë me Kosovën, nuk është luftë ndërmjet këytre dy shteteve, por e Serbisë me NATO-n. Vetëm një luftë e nisur nga shqiptarët, mund të legjitimojë ndërhyrjen e Sebisë, ose të nxisë një reagim të KFOR-it kundër shqipfolësve që do të realizonin ndonjë skenar serbo-rus për luftë në Kosovë. E Serbia po synon pikërisht këtë: për të legjitimuar një konflikt të shqiptarëve me KFOR-in, ose për të legjitimuar një invadim të saj në Kosovë, po bën provokime gjithëfare dhe po nxit reagime luftënxitëse nga ana e shqiptarëve. Përndryshe, në asnjë rrethanë tjetër, Serbia nuk do të mund të hyjë në luftë me Kosovën, sepse kjo nuk do të ishte luftë me Kosovën, por me NATO-n. Një diplomat i cilido shtet këtë e di, prandaj e di edhe ambasadori Minxhozi, i cili si ambasador i një shteti anëtar i NATO-s, po ashtu, nuk do të duhej të dilte jashtë politikave dh strategjive të kësaj organizate, përkatësisht nuk do të duhej të shprehte pikëpamje unilaterale dhe jashtë obligimeve që NATO ka për sigurinë në Kosovë. Së këndejmi, edhe deklaratat e tilla më shumë duhet kuptuar në kontekst të angazhimeve të dëmshme që Qeveria e Tranës i ka ndërmarrë vazhdimisht me koketimet me Beogradin, që i kanë bërë shumë dëm Kosovës dhe konsolidimit të saj si shtet. Po ashtu, edhe ndërhyrjet e shpeshta në politikën e brendshme të Kosovës nga krerë të lartë shtetërorë në Tiranë, kanë pasur refletime negative në vendin tonë. Të gjitha këtyre ndrëhyrjeve po u vjen era Kretë dhe thikë mbas shpine Kosovës, ashtu siç ndodhi më 1944 dhe më 1998-1999. Kosova nuk ka nevojë për retorika luftënxitëse, as për patriotizëm emocional dhe populist, por ka nevojë për qasje racionale, për veprime të kujdseshme dhe për maturi që të mos bie në kurthet dhe provokimet e Serbisë dhe të tjerëve që duan ta përfshijnë atë në konflikte dhe në strategji të tyre,  e që janë kundërshqiptare. Tashmë kur ka filluar faza përfundimtare e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe kur Serbia po synon të krijojë Serbinë e Madhe duke marrë territore gjithandej, pra edhe në dëm të shqiptarëve, kërkohet një angazhim i shtuar për të mos lejuar asnjë skenar që do të legjtimonte ricopëtimin e territoreve shqiptare. Këto dy vitet e fundit kan dëshmuar se strukturat mafiozo-politike shqiptare që e ndanë Kosovën mbi baza etnike më 1999, janë tepër të angazhuara që ta përmbyllin këtë proces me ndarjen përfundimtare të Kosovës. Fakti se Rexhep Qosja e riaktualizoi çështjen e ndarjes së Kosovës, nën maskën e shkëmbimit të territoreve, dhe fakti se ambasadori Minxhozi shpërfaq retorika të patriotizmit populist, është një dëshmi tjetër se ka një bashkërendim të organizuar për të forcuar pashmangshmërinë e një lufte me Serbinë, e cila do ta bënte realitet atë. Dhe është interesant se Beogradi që ka reaguar edhe ndaj çështjeve fare të parëndësishme, ka kohë që po hesht ndaj retorikave luftënxitëse, ndaj qëndrimit të Ilir Metës në selinë e AAK-së, ndaj pritjes së Ilir Meta ua bëri Albin Kurtit dhe Visar Ymerit në Tiranë etj.