Teatër/Komedia “Iku autobusi” mbushi sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren

08.06.2018 11:52:19

Në sallën e madhe të Shtëpisë së Kulturës “Xhemaili Berisha” në Prizren, Teatri Amator i Qytetit dha premierën e komedisë “Iku Autobusi”, të autorit, Osman Goranci, gazetar dhe shkrimtar nga Prizreni.

Premiera, në regji të Luan Kryeziut, që filloi në orën 21.30 të natës së mbrëmshme, u ndoq nga qindra artdashës, të cilët kishin  mbushur çdo anë të sallës, dhe riktheu kujtimet e kohëve të arta të këtij teatri, i cili me repertuarin e saj të larmishëm dhe me interpretimet e pëlqyera artistike të aktorëve, edhe pse amatorë, ishte bërë pjesë e fuqishme e jetës kulturore dhe shoqrërore të qytetit.

Komedia “Iku autobusi”, është një komedi që ka vënë në spikamë të ironisë, të sarkazmit dhe të ilaritetit artisitik momente në dukje të rastësishme të karaktereve të rastësishëm, por që në tërësinë e tyre përbëjnë një plasiticitet dhe unitet të saj, e që i bën bashkë itinerari i udhëtimeve të tyre me autobus, përkatësisht stacioni i autobusit.

Në qendër të komedisë është një stacion autobusi si një vend ku hyjnë e dalin karaktere të ndryshmeapo të kundërt dhe që në ballafaqim nxjerrin në sipërfaqe edhe injorancën e tipit të Zhyrdenit të Molierit, edhe mentalitete arkaike dhe në mospërputhje me nivelet e prezentuara profesionale, por edhe stacioni si fazë e jetës, si moment i caktuar në jetë, pra si pikë ku mëtohet të arrihet, apo edhe si pikë nga ku duhet të nisesh për të arritur në pikën tjetër.

Luri (Hasim Iballi), një avokat ishte tepër i shqetësuar se i kishte ikur autobusi për t’u kthyer në shtëpi, dhe gjatë tërë kohës duhej t’i shpjegonte gruas se nuk ishte me ndonjë femër tjetër, por ishte në stacion pasi i kishte ikur autobusi; Vera (Arberesha Berisha), ndërkaq kishte kohë boll, madje ishte gëzuar që i kishte ikur autobusi se mund të takonte shokun e shkollës, dhe se kishte për gjë fare të fliste pa u ndal,e cila kishte mbetur me një mendësi arkaike dhe provinciale, ishin karaktere që me plasticitet ironizonin. Ndërmjet tyre ishte Luna (Alma Lleshi-Macula), e cila bashkë me Abin ( Fikret Ramaj), dhe prof. Belin (Kemajl Rysha), përbënin grupin tjetër të karaktereve, të cilët nuk ishin aty se u kish ikur autobusi, por që kishin të bënin me atë ambient: Luna, një studente që mbante një kiosk aty afër, por që merrej edhe me të tjera punë, ishte një karakter më i lirë dhe që vinte në situata komike  Lurin, sidomos Verën, e që banonte në shtëpinë ngjitur të prof. Belit, që e kalonte kohën i dehur e të cilit i kishte humbur arsyeshmëria dhe vlerësimi i situatave, e të cilit, po ashtu, i kishte ikur autobusi për në gjykatë; Abi, i cili ishte një biletashitës që me stacionin e lidhte puna.

Edhe pse të ndryshëm në karaktere, gjithë këta si tërësi, si komunitet, ndërkaq, përfaqësojnë popullin që ka hallet, problemet, situatat dhe gjendjet e caktuara që kanë të përbashkët qëndrimin ndaj pushtetmbajtësve, që vendin e kanë kthyer në një wc publike për pordhët e tyre pushtetore.

Pushteti i përfaqësuar nga Ministri (Beqir Bekteshi), edhe pse në rol episodik, megjithatë u ironizua dhe u demaskua me një skenë banale, kur policia bllokon stacionin për Ministrin që duhej të shkonte në toalet. Dhe këtu arrin kulmi i ironisë, kur karakteret – popull, i thonë policëve se i dinin madje edhe pordhët e pushtetarëve.

Prania e madhe e publikut, dhe interesimi i madh i tyre për këtë shfaqje, janë dëshmi se qytetarët kanë nevojë për art, kanë nevojë për atë katarsisin emocional, pra të spastrimit të emocioneve dhe të largohen nga tensioni dhe situatat stresuese të përditshmërisë së një realiteti në kufijtë e absurdit.