Teatri Kombëtar/ Ish-ministri i Ramës: Nuk ka nevojë për sherr, ja si zgjidhet!

26.07.2019 11:18:57

Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani ka publikuar në rrjetin social facebook një qëndrim lidhur me zgjidhjen e çështjes së teatrit, që sipas tij është shumë e thjeshtë.

Rruga që ai propozon është vërtet një zgjidhje e pranueshme për palët, pa i ndarë njerëzit në të Këtij apo Atij.

Ja çfarë shkruan Manjani: Zgjidhja e çështjes së Teatrit Kombëtar është fare e thjeshtë dhe e pranueshme nga të gjithë, pa qenë nevoja të ndahen njerëzit në të Këtij apo të Atij.

Në territorin ekzistues sipas projektit dhe arkitekturës origjinale, ndërtohet një godinë e re idem si kjo që është sot.

Këtë punë e bën vetëm shteti, dmth qeveria nëpërmjet Ministrisë së Kulturës. E bën me para publike.

As privati e as bashkia! Vetëm qeveria dhe fiks sipas modelit origjinal.

Kjo është zgjidhja që pajton artistët që duan një skenë të re, spektatorët që duan një sallë komode, trashëgiminë historike që siguron kujtesën kolektive, publikun që i ruhet prona dhe paratë e tij.

Kjo është zgjidhja që ndan privatin nga punën ekskluzive publike. Teatri Kombëtar është domen ekskluziv publik kudo në botë.

Privati të ndërtojë godinat e veta pas teatrit sipas planit, por shteti duhet të ruajë Teatrin.

Është fare e thjeshtë! Thjesht duhet ta bëjnë dhe, të gjithë janë dakort.

Se përse qeveria nuk zgjedh rrugën e dakortësisë, por të përplasjes me të gjithë, një dreq e di!