Teknologjia e informacionit, informata, dhe filozofia politike e presidentit Rugova

28.07.2016 15:29:10

Teknologjia e informacionit, është revolucioni i tretë industrial, dhe i pari kibernetik që ka ndikuar tepër shumë në zhvillimet e gjithëmbarshme botërore, rajonale dhe të shteteve të veçanta. Nga analistë te ndryshëm të ndikimit të teknologjisë së informacionit në botë janë vënë në spikamë ai anët pozitive, ashtu edhe anët negative të kësaj teknologjie. Ndër anët pozitive po përmendet shpejtësia e shpërndarjes së informacionit, si dhe thyerja e monopoleve të ndryshme mbi informatën. Është mëse e qartë se teknologjia e informacionit që zakonisht dhe domosdoshmërisht lidhet me shpikjen dhe avancimin e internetit, ka mundësuar që të ketë një shumësi formash të shpërndarjes së informacionit, sepse derisa në rastin e gazetave të shtypura duhej së paku një ditë për të shpërndarë informatën, kurse në rastin e mediave elektronike klasike si radioja dhe televizioni koha u shkurtua mjaft, deri në transmetimin e drejtpërdrejtë të informatës, megjithatë nëpërmjet zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe të internetit, edhe shpjetësia e shpërndarjes është rritur, edhe mundësia që sa më shumë njerëz ta shpërndajnë atë. Kështu, tash çdo kush që ka një kompjuter, laptop, tablet, iPad apo edhe telefon ka mundësi edhe ta marrë informatën në kohë sa më të shkurtër, edhe të bëhet vetë shpërndarës i informacionit. Mjafton ta bësh një foto, apo edhe një video duke pirë kafe, duke udhëtuar apo në çfarëdo rrethane tjetër dhe ta postosh në rrjete sociale dhe të bëhet një informatë publike për të gjithë. Në aspekte më të gjera, e kanë pranuar të gjithë se teknologjia e informacionit ka ndikuar në luftën kundër terrorizimit, pasi që ka qenë e mundur që të përcillet aktiviteti i grupeve apo individëve terroristë nëpërmjet postës elektronike, rrjeteve sociale etj. Mirëpo, po ashtu, është pranuar se teknologjia e informacionit është përdorur dhe po përdoret edhe nga vetë grupet e ndryshme terroriste për të shtrirë aktivitetin e tyre në gjithë botën. Në këtë drejtim ka një luftë kibernetike ndërmjet shteteve dhe shoqërive të ndryshme me grupet e ndryshme terroriste se kush po e mposht tjetrin. Në fakt, teknologjia e informacionit dhe interneti janë bërë pjesë të globalizimit  si proces botëror, sepse po ndihmon që bota të jetë më afër secilit, dhe që njerëzimi të jetë më komunikues ndërmjet vete. Qytetërime të ndryshme që janë ndeshur qoftë në formë kryqëzatash, qoftë edhe në forma të ndryshme konfliktuale, në fakt, tash kanë gjetur format e ndryshme të bashkekzistencës dhe të ndërndikimeve, sepse vlerat lokale në pjesë të ndryshme të botës, nëpërmjet teknologjisë së informacionit po bëhen vlera universale dhe të posedueshme nga të gjithë popujt. Tashmë nuk ka nevojë për marshuta të gjata dhe aventuriste nëpër botë si të Krostofor Kolombos, apo të Marko Polos për të njohur pjesë të ndryshme të botës, sepse mjafton kërkim në internet dhe ke edhe informacion të shkruar, edhe informacion zanor, edhe informacion pamor nga çdo skaj i botës. Kjo e fundit, ndërkaq, po ka edhe ndikim negativ te individët, pasi që po ndikon që të lidhen për aparatet e tyre kompjuterike, telefonike etj., dhe të mos kenë fort interes për të qenë të shoqëruar me njerëz të tjerë. Tëhuajsimi është një nga pasojat e këqija të teknologjisë së informacionit dhe të internetit që ka ndikuar shumë edhe në profilin psikologjik dhe socoplogjik të njeriut të globalizimit kibernetik. Megjithatë, këto janë vetëm disa elemente që kanë hapur rrugën për një mendësi tjetër të njeriut, përkatësisht të kalimit të njeriut nga homo humanus, pra nga njeriu human, në homo kiberniticus, pra të njeriut kibernetik. Njeriu kibernetik mund të jetë njeriu i projektuar për të qenë barasvlerësi, apo edhe në rastin më të keq, edhe kundërvenësi i qenieve të ndryshme që herë po pohohen, e herë po mohohen, pra të alienëve. Në këtë kontekst, duhet thënë se edhe shfaqja e faqeve të ndryshme në internet me informacione dhe kundërinformacione, me argumente dhe kundërargumente, ka bërë më të gjallë debatin për të gjitha pyetjet që njeriu mezi ka guxuar t’ia bëjë vetes qoftë për pozitën e tij në tokë dhe në Gjithësi, qoftë edhe për faktin se a është i vetëm në Gjithësi, apo ka edhe kushurinj të tjerë në hapësirën kozmike. Ndërmjet gjithë dilemave, shqetësimeve dhe hamendësimeve, megjithatë informata mbetet më e rëndësishmja, bile tashmë edhe më e domosodoshmja. Portalet si forma më të fundit të korpusit mediatik, janë bërë mjaft të shumta dhe të vizituara, pikërisht për faktin se ka bërë bashkë formën e shkruar, formën zanore dhe formën pamore të shpërnadrjes së informatës. Prandaj, edhe përmasat e plasimit të tyre në tregun mediatik janë shumë të mëdha dhe të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës. Edhe te ne, përmasat e përhapjes së portaleve janë bërë të mëdha dhe kanë filluar të kenë ndikimi shumë të madh qoftë në shpërndarjen e informatës, qoftë edhe krijimin e opinionit publik. Në këtë kontekst, edhe Fokusi po hyn në tregun mediatik jo si konkurrent, jo për të rrënuar apo avancuar portalet ekzistuese, por si një mundësi tjetër informimi, krijimi të opinionit dhe të nxitjes së debatit. Të gjitha çështjet e shtruara më sipër janë pjesë e politikës redaktuese të këtij portali, por thelbi i tij do të bazohet në filozofinë politike të presidentit Rugova, i cili në mënyrë shembullore arriti të sinkronizonte tradicionalen me modernen, lokalen me universalen, si dhe hapir horizonte të reja të pritjes për shoqërinë dhe kombin shqiptar. Filozofia politike e presidentit Rugova, është shembulli më i mirë se si vlerat tradicionale mund të bashkëjetojnë dhe të jenë funksionale edhe në botën moderne, dhe se si njeriu mund të mbështetet në këto vlera për të qenë më i sukseshëm edhe në kohën e dominimit të teknologjisë së informacionit, internetit etj.