Shqipëri/Telashe të mëdha për policët që shoqëruan Dritan Dajtin në ish-Bllok

20.01.2020 17:11:04

Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve ka kallëzuar sot policët që shoqëruan Dritan Dajtin në zonën e ish-Bllokut në Tiranë.

Në një njoftim për mediat, SHKBB thotë se efektivët nuk kanë zbatuar rregullat e shoqërimit si edhe nuk kanë vlerësuar si duhet situatën, ndaj edhe për këtë arsye ka kallëzuar ata për shpërdorim të detyrës.

Sipas SHKBB njoftimi i lëvizjes së të dënuarit, është kryer me sms në sallën operative dhe nuk është vënë në dijeni drejtori i Burgjeve.

Gjithashtu Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve vlerëson se për rastin në fjalë duhej të ishte bërë një analizë risku për situatën si edhe të verifikohej mirë situata e të dënuarit Dritan Dajti.

Sipas SHKBB i dënuarit Dajti duhej të dërgohej në spitale shtetërore pranë burgut, ndërsa nga ana e policisë të kallëzuar mungon vendimi i arsyetuar për lëvizjen e tij.

Pak ditë më parë, i dënuari Dritan Dajti ‘doli’ nga qelia ku vuan dënimin, për një vizitë mjekësore në zonën e ish-Bllokut.