Tendencat për margjinalizimin e rolit të presidentit Rugova, të LDK-së dhe procesit liri, pavarësi, demokraci

04.07.2018 14:59:01

Nga Rexhep Kastrati

Më 2 korrik u bënë 28 vjet nga Deklarata Kushtetuese, me të cilën Kuvendi i Kosovës kishte zhvlerësuar ndryshimet e dhunshme kushtetuese të vitit 1989 dhe kishte vënë themelet e subjektivitetit dhe të shtetësisë së Kosovës në kuadër të procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Edhe pse një ndër aktet më të rëndësishme politike, juridike dhe shtetërore, ky akt kaloi pa ndonjë vlerësim të duhur nga institucionet shtetërore dhe politike të Kosovës, përkatësisht kaloi pa asnjë aktivitet shtetëror për shënimin e përvjetorit të saj.

Është për të vënë re dhe për të theksuar se nuk është vetëm ky përvjetor që ka kaluar me një mospërfillje të tillë, pasi që ka kohë që nuk po përfillet, po margjinalizohet dhe po zhvlerësohet gjithë procesi liri, pavarësi, demokraci, në krye me presidentin Rugova dhe me LDK-në.

Të kujtojmë se vetëm këtë vit ka kaluar thuajse në heshtje të plotë Dita e Presidentit – 24 maji, kurse më parë, edhe akti i shpalljes së Kushtetutës së Republikës së Kosovës, më 7 shtator 1990, Referendumi për pavarësinë e Kosovës, 24 – 30 shtator 1991, i amandamendimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në përputhje me atë referendum, themelimi i Qeverisë së parë shumpartiake të Republiksë së Kosovës, po atë vit, zgjedhjet e para të mbajtura më 24 maj 1992, zgjedhjet e dyta të mabjtura më 22 mars 1998 dhe gjithë ngjarjet e rëndësishme në procesin liri, pavarësi, demokraci.

Ky margjinalizim, minimizim dhe zhvlerësim i gjithë këtij procesi po ndodh për të margjinalizuar thelbin e atij procesi, i cili ka qenë proces për lirinë shqiptare në territoret e tyre në ish-Jugosllavi, proces i pavarësisë së Kosovës si zgjidhje kompromisi, dhe i mëvetësisë së brendshme në territoret tjera shqiptare në ish-Jugosllavisë në kushtet e mosndryshimit të kufijve të dala nga ish-Jugosllavia, si dhe proces i demokracisë si sistem, si formë dhe si vlerë e organizimit shoqëror, politik, ekonomik dhe shtetëror të shqiptarëve. e që ka qenë proces që përfshinte lirinë individuale dhe lirinë kolektive, pavarësinë individuale dhe kolektive, demokracinë individuale dhe kolektive, edhe në kuptimin teoriko-filozofik, edhe në kuptimin praktik-politik-institucional, e që përfshinte të gjitha nivelet e lirisë, të gjitha nivelet e pavarësisë, të gjitha nivelet e demokracisë.

Procesi liri, pavarësi, demokraci i udhëhequr nga presidenti Rugova dhe LDK ka qenë procesi më gjithëpërfshirës, më shumëdimensional dhe më i plotë nga të gjithë proceset në të cilët kanë qenë të përfshirë shqiptarët, dhe për herë të parë ishte një proces që ishte në harmoni me interesat kombëtare, me bashkërendimin me aleatët dhe që e rivendoste çështjen shqiptare në kontekstin qytetërues, gjeopolitik e gjeostrategjik euro-perëndimor.

Ky proces ka qenë i ndryshëm, e pse jo edhe i kundërt me procesin e filluar më 1998-1999, e që është proces i margjinalizimit të interesave kombëtare të shqiptarëve në territoret e ytre në shtetet e dala nga ish-Jugosllavia, kurse shtetin e Kosovës si bazë për kompromise të tjera mbi bazën e ndarjes etnike të saj: krijim i një “Republika Srpska” në Kosovë, ndarje e Kosovës sipas skenarëve ukrainas, ndarjen e Kosovës si shkëmbim territoresh.

Pra bëhet fjalë për një proces që në thelb i është vënë kundër procesit liri, pavarësi, demokraci, e së këndejmi edhe tendencat për margjinalizimin, minimizimin dhe zhvlerësimin e procesit liri, pavarësi, demokraci janë tendenca për lartësimin e procesit që është në rrjedhë e sipër dhe që po pritet të përbyllet nga ai që edhe e ka filluar: Hashim Thaçi dhe linja e Tiranës/Kretës me ndihmën e linjës udbasho-jugosllavkomuniste.

Këto tendenca nuk janë vetëm brenda Kosovës, por janë në nivel mbarëkombëtar, e që në mënyrë më të dukshme janë vërejtur në 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë shqiptare, por edhe më vonë.

Pra, çështja e margjinalizimit, minimizimit dhe zhvlerësimit të procesit liri, pavarësi, demokraci i udhëhequr nga presidenti Rugova dhe LDK është çështje e pazareve dhe axhendave rajonale, e në të cilat shqiptarët janë të përfaqësuar nga klasa politike të dobëta, të shantazhueshme dhe të dominuar nga rekrutë agjenturash kundërshqiptare, e në të cilat pazare përsëri do të pësojnë shqiptarët në hapësirën shqiptare në rajon, kurse pazarxhinjtë shqiptarë të lartësohen si heronj, ashtu siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.