Tension mes deputetëve në Kuvend, Beqaj shtyhet nga Paloka në foltore

17.11.2016 13:37:10

Debatet mes deputetëve gjatë seancës së sotme plenare ka degjeneruar në fyerje personale dhe situata është tensionuar më tej kur në foltore ka dalë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë protestuar ndaj ministrit Beqaj duke u afruar tek foltorja dhe duke mos e lejuar të vijonte fjalimin.  Ministri u çua të fliste për t’ju përgjigjur akuzave në drejtim të tij nga ana e deputetes së Partisë  Demokratike, Albana Vokshi.

Në një moment deputeti i PD-së Edi Paloka iu afrua foltores dhe shtyu me dorë ministrin Beqajn duke kërkuar të largohet nga foltorja. Menjëherë kanë ndërhyrë garda për mos lejuar përshkallëzimin e situatës, ndërsa Valentina Leskaj e cila drejtonte seancë dha 5 minuta pushim.