Tensione në Kuvend, Noka qëllon Braçen pas fyerjeve ndaj Berishës

16.02.2017 14:25:48

Një incident është shënuar në Kuvend gjatë kohës që ish-kryeministri Sali Berisha po mbante fjalën e tij.

Deputeti Erion Braçe i është drejtuar me fjalë fyese Sali Berishës. Menjëherë pas kësaj ka reaguar deputeti Flamur Noka, i cili ka qëlluar Erion Braçen.

Pas këtij incidenti drejtuesja e seancës ka kërkuar ndërprerjen e seancës. Nga ana tjetër deputetët e PD kanë kërkuar përjashtimin e Braçes, për shkelje të rregullores.

Ndërsa deputetët e PS kanë kërkuar përjashtimin e Nokës pas gjestin të tij në drejtim të Erion Braçes.

Ka qenë kreu i grupit të PD, Edi Paloka, i cili i ka thënë Leskajt të mos zbatojë në mënyrë të njëanshme rregulloren e Kuvendit.

Debati

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka është përjashtuar nga seanca plenare e ditës së sotme pas sherrit me deputetin Erion Braçe. Mes tyre pati një konflikt pasi Braçe tha fjalë fyese në drejtim të deputetit Berisha. Noka iu afrua dhe i hodhi me forcë kartonin e votimit Braçes.

Duke u nisur nga ky episod i pakëndshëm, drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit Valentina Leskaj ka lexuar rregulloren ku përcaktohet në cilat rast duhet të përjashtohet një deputet nga seanca dhe i ka kërkuar Nokës të lërë sallën pasi është përjashtuar.

Por kjo gjë nuk është pritur mirë nga opozita. Kreu i Grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka ka pranuar që Noka të lërë seancën por me kushtin që të përjashtohen edhe deputetët e PS-së, Erion Braçe dhe Taulant Balla.

Leskaj: Ju lutem zoti Noka, respektoni rregulloren, lini sallën për ditën e sotme. Nëse nuk zbatohet pastaj, kalojmë në pushtetet e pikës 2 të nenit 65. Zoti Noka respektoni rregulloren.
Paloka: Shumë mirë e lexuat nenin e rregullores dhe ju kërkoj ta zbatoni pikë për pikë. Ju ftoj të përjashtoni z. Braçe dhe z. Balla që kanë folur gjatë gjithë kohës jo vetëm për folësin por edhe për deputetët e tjerë.

Leskaj: E keni me zë dhe figurë shkeljen e rregullores nga deputeti Noka. Nëse keni të evidentuar siç është rasti silleni kërkesën ta shqyrtojmë. Unë kërkoj që të zbatohet rregullorja e parlamentit.
Paloka: Zonja drejtuese e seancës, mos u bëni më qesharake se sa është bërë ky parlament. Ju e keni parë Flamur Nokën në televizor ndaj po e përjashtoni.
Leskaj: E pashë live. 5 minuta pushim ndërpritet seanca.

Të dyja palët akuzojnë njera-tjetrën për nxitje të konfliktit dhe të dyja kërkuan përjashtimin e deputetëve të forcës kundërshtare.