Tensionet në Kakavijë, Meta jep zgjidhjen: Qytetarëve t’u bëhet tamponi aty ku ndodhen dhe falas

16.08.2020 15:11:11

Duke parë situatën e rënduar në Kakavijë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i ka bërë thirrje qeverisë që të t’u shkojë në ndihmë qytetarëve shqiptarë.

Në një status në Facebook, ai shprehet se ata nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe e pa shtet.

Kreu i Shtetit, duke parë rregullin e ri të vendosur nga pala greke që asnjë s’mund të futet në Greqi pa bërë testin e Covid, sugjeron që tamponët t’u dërgohen qytetarëve në vendin ku ndodhen dhe të bëhet falas.

Statusi i plotë 

Qytetarët shqiptarë, të cilët prej ditësh ndodhen në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës, në kushte tejet të vështira dhe në prag të një krize humanitare, nuk mund të trajtohen si njerëz pa Atdhe dhe pa shtet.

Përsëris thirrjen e fortë drejtuar qeverisë shqiptare për të qëndruar pranë qytetarëve dhe për të marrë të gjitha masat, për informimin me transparencë, realizimin FALAS dhe në vendin ku ndodhen të tamponëve për COVID-19.
Kontaktet me Greqinë të jenë konstante dhe vetëm në funksion të një zgjidhjeje të menjëhershme.

Aktet e forcës janë të papranueshme!
I kërkoj autoriteteve greke, që në respekt të frymës së fqinjësisë së mirë dhe lidhjeve të forta tradicionale mes dy popujve, të bëjnë të pamundurën për zgjidhjen e situatës, imazhet e së cilës turpërojnë të dyja vendet.
ÇDO QYTETAR I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË MERITON TË TRAJTOHET ME DINJITET!