Tenton të fusë 6 celularë në burg për djalin, arrestohet e ëma

10.08.2016 11:18:58

Një grua 41-vjeçare është arrestuar në flagrancë nga policia e Krujës, pasi ka tentuar të fusë celularë në burg. Sipas policisë, e arrestuara është shtetasja Liljana Toluli, banuese në Kamzë.

Bëhet e ditur se arrestimi i saj u bë pasi, duke shfrytëzuar orarin e vizita në burgun e Fushë-Krujës, ka tentuar të fusë për djalin e saj, i cili vuan dënimin, 6 copë celularë.

Policia ka njoftuar se 41-vjeçarja, celularët i kishte fshehur në një bombol gazi që përdoret për kafe, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Ndërkohë materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Dhënie ndihmë një të burgosuri për largim”.