Tërheqja e kërkesës për anëtarësim në Interpol lajm i rëndë për Kosovën

21.09.2017 23:31:30

Nga Rexhep Kastrati

Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa kishte punuar shumë që të përgatiste terrenin për paraqitjen e kërkesës për anëtarësim në Interpol, kurse Qeveria Haradinaj-Gjuriq e tërheqë këtë kërkesë, duke dëshmuar kështu se është duke bashkëqeverisur me Beogradin.

Një Qeveri e varur tërësisht nga Beogradi, po dëshmon se në fakt është Qeveri Haradinaj-Gjuriq, sepse vetëm Beogradi do të donte që Kosova të mos provojë dhe të punojë që të bëhet anëtare në organizata dhe institucione ndërkombëtare. Tërheqja e kërkesës për anëtarësim në Interpol, ndërkaq hedh dritë edhe mbi qëllimin e angazhimeve të dhunshme dhe anarkiste pikërisht të pamundësuar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Një Qeveri e pakushtëzuar nga Beogradi, çfarë ishte Qeveria e drejtuar nga kryeministri Mustafa, nuk mund të shantazhohej nga Beogradi, edhe pse urdhëronte listën “Srpska” që të bojkotonte Qeverinë, prandaj edhe në bashkëpunim të plotë me SHBA-të dhe aleatët tjerë strategjikë e përgatiti Kosovën për anëtarësim në UNESCO. Dhe sikur të mos ishin veprimet anarkiste dhe të dhunshme, Kosova do të anëtarësohej në UNESCO.

Tashmë kur në Kosovë ka një Qeveri Haradinaj – Gjuriq, të varur tërësisht nga Beogradi, nuk mund të bëjë veprime që nuk do t’i pëlqente Serbisë. Dhe kjo nuk po ndodh vetëm me tërheqjen e kërkesës për anëtarësimin në Interpol, por edhe me ndërlidhjen e transformimit të FSK-së në FA me çështjen e Asociacionit, gatishmëria për themelimin e Asociacionit pa vërejtjet e Gjykatës kushtetuese etj.

Janë këto dhe shumë të tjera arsyet pse Beogradi kishte urdhëruar, kurse PDK, VV, AAK, Nisma, lista “Srpska”, pakicat tjera dhe korpusi medietik e zbatuan fushatën për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa dhe krijimi i një Qeverie të varur tërësisht nga Beogradi.