Tërhiqet draftrregullorja për mbrojtjen e fëmijëve nga mediat

20.07.2016 12:35:51

Është ndaluar së zhvilluari draftrregullorja për mbrojtjen e fëmijëve nga mediat e shtypura dhe online

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) njoftojnë gazetarët dhe publikun që draftrregullorja për mbrojtjen e fëmijëve në media nuk pritet të zhvillohet tutje.

“UNICEF-i nëpërmjet një komunikate publike është tërhequr nga drafti i rregullores, të cilën tash e quan vetëm si “mbështetje në diskutimet për zhvillimin e rekomandimeve konkrete që do t’i adresonin boshllëqet e identifikuara dhe do të siguronin mbrojtje më të mirë të drejtave të fëmijëve gjatë ndërveprimit me mediat” dhe sygjeron mediat që të mos e marrin atë dokument si draft zyrtar”, thuhet në njoftimin e AGK-së dhe KMShK-së.

KMShK zotohet se do të trajtoi me kujdes të veçantë ankesat që kanë të bëjnë me mbrojtjen e fëmijëve në media të shtypura dhe online.

AGK falënderon mediat dhe gazetarët për mbështetjen e ofruar në adresimin e kësaj çështjeje dhe njëkohësisht fton KPM-në që të vazhdojë të zbatojë rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve dhe të të miturve në mediat audiovizuele, thuhet në komunikatë.

UNICEF-i, në emër të Zyrës së Kryeministrit, kishte hartuar rregulloren për mbrojtjen e fëmijëve dhe të miturve në transmetimet audivizuele, media të shtypura dhe online, e cila përmbante probleme serioze ligjore, thuhet më tutje në reagimin e AGK-së dhe AKShk-së.