Shqipëri/“Tërmeti na shembi shtëpinë, flemë ku na zë nata

25.09.2019 18:14:17

Kristina Lake, një banore nga fshati Ravonik i Korçës ka denoncuar në Gazetën SHQIP një problem, me të cilin po përballet prej muajsh. Sikurse ka shkuar dhe sjellë në redaksinë tonë disa foto, zonja në fjalë sqaron se që prej 1 qershorit, ajo së bashku me bashkëshortin dhe fëmijët po flenë atje ku i zë nata.

“Tërmetet e 1 qershorit më dëmtuan shtëpinë, aq sa u bë e pabanueshme. Po shkoj çdo ditë te Bashkia e Korçës dhe asnjë reagim. Më thonë do vijmë për verifikime, jo sot, jo nesër. U bë 4 muaj dhe asgjë nuk është bërë” – thotë zonja që ka bërë ankesën në faqen e facebook të gazetës Shqip.

Ajo shton, teksa thotë se “tërmeti që ra para dy ditësh e rrëzuan murin e shtëpisë në tokë”. Gruaja shton se është me probleme të mëdha ekonomike, me dy fëmijë të sëmurë dhe se nuk përballon dot bukën e përditshme dhe jo më të sigurojë ndërtimin e shtëpisë së dëmtuar.

“Me zor ju siguroj bukën e gojës fëmijëve e kjo gjë më shkatërroi, sepse nuk kam ku ti laj e ku t’i ndërroj fëmijët” – thotë zonja, e cila kërkon ndihmë së pari nga autoritetet dhe më pas nga të tjerë që kanë mundësi.