Terrorizoi spanjollët/ Kokëdhima i qeshur në gjyq: Ramën e kam mik, as Bin Laden s’njihet sa unë

18.08.2019 14:01:28

Mihal Kokëdhima, pronari famëkeq i një lokali në Himarë që terrorizoi turistët spanjollë është lënë në burg nga gjykata.

Gjykata e shkallës së parë në Vlorë ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke lënë në burg Mihal Kokëdhimën, pronari i një restoranti në Porto Palermo, i cili u përfshi në një video-skandal ku sulmonte disa turistë spanjollë.

Në videon e siguruar nga Gazeta SHQIP, Kokëdhima doli para gjykatës pa pranga dhe i qeshur. Ai deklaroi se nuk i ka dhunuar turistët, ndërsa ka ofrroi edhe garanci pasurore për lirimin e tij.

“Më morën zvarrë me makinë. Ç’është kjo punë nuk kam prekur njeri me dorë. Ku kanë faktet që i preka me dorë. Më rrëzuan në Qeparo, nga makina. Unë nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar por për t’u mbajtur.

Unë u mora targën, telefonova policinë. Ata futën marshin të më shtypnin, dhe unë u hodha ne kriskot. Kam dy fëmijë në shkolle në Gjermani. Ne dy muaj punojmë. Më lini të punoj”– ka thënë Kokëdhima.

Kokëdhima: Ramën e kam mik

I pranishëm në sallën e gjyqit, Kokëdhima nuk ka kursyer ironinë ndaj medias, duke deklaruar se kaq vëmendje mediatike nuk ka pasur as në ShBA me arrestimin e Osama bin Laden.

Kokëdhima deklaroi se e ka mik kryeministrin Rama

Kokëdhima: Kaq interes mediatik nuk ka marrë as çështja e Osama bin Ladenit në ShBA.

Avokati: Normale që çështja jote do ketë vëmendje publike sepse ka tërhequr dhe vëmendjen e kryeministrit.

Kokëdhima: Kryeministri harron që un e kam mik atë.

Ngjarja

Kokëdhima sulmoi dhe rrezikoi jetën e një grupi turistësh spanjollë, duke ju hedhur mbi kofanon e furgonit ku ata udhëtonin, dhe në tre kilometra rrugë në ecje i ka terrorizuar ata teksa thyen xhamin dhe bërtet.

E gjitha ndodhi pasi turistët u larguan nga restoranti i tij në “Porto Palermo” të Himarës, pasi pritën gjatë për porosinë që nuk u erdhi kurrë.

Akuzat ndaj 55 vjecarit janë tre; kanosje parashikuar nga neni 84 i kodit penal, neni 150 shkaterrim i pronës, dhe neni 90 dëmtime të tjera me dashje.

Restoranti i ndërtuar mbi plazh në Porto Palermo, rezulton prej vitesh (para 2012-ës) pa leje, dhe është në proces legalizimi.