Thaçi: 20 vjet më parë, Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para Nato-s

09.06.2019 11:26:21

Thaçi, ka kujtuar 20 vjetorin e nënshkrimit të marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, ku edhe i dha fund luftës në Kosovë.

Kreu i shtetit përmes një postimi në Facebook ka thënë se në këtë ditë, 20 vjet më parë, Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para NATO-s, përcjell lajmi.net.

“Në këtë ditë, 20 vjet më parë, Millosheviqi dhe ushtria e tij u dorëzuan para NATO-s. Marrëveshja e Kumanovës do të thotë çlirim, fund i gjenocidit, paqe dhe fillim i jetës së re në liri dhe barazi për ne. Ishte një rrugëtim i dhimbshëm, por krenar për rindërtimin e vendit dhe shoqërisë sonë”, ka shkruar Thaçi.

Ai po ashtu ka thënë se me respektin më të madh e kujtojmë çdo sakrificë të çdo kombi që iu bashkua NATO-s në këtë luftë të drejtë.

“Për botën ishte një fitore e të drejtave të njeriut mbi çdo cenim në shekujt e mëparshëm. Me respektin më të madh e kujtojmë çdo sakrificë të çdo kombi që iu bashkua NATO-s në këtë luftë të drejtë. Me dhimbje, por gjithmonë duke u krenuar me heroizmin e tyre, e kujtojmë edhe çdo dëshmor që ka rënë për të bërë realitet ëndrrën tonë. U jemi përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar tutje Thaçi.