Thaçi dhe Rama duhen shpallur “nongrata” në lidhje me dialogun me Serbinë!

03.08.2018 02:31:47
Nga  Enver Bytyçi
Thaçi, i udhëzuar nga Edi Rama dhe në shërbim të idesë së ndarjes së Kosovës, bëri dje dhe sot dy lëvizje:
1. Hodhi idenë e “korrigjimit” të kufijve, duke kërkuar bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën. Ndërkohë sot nxiti Lutfi Hazirin ta shpallë dështimin e kësaj skeme si “luftë në Ballkan”. Ideja e “korrigjimit të kufijve është maskë e idesë dhe përpjekjeve për ndarjen e Kosovës. Lugina e Preshëvës është maska, Lutfi Haziri e Nexhat Daci janë masha. Hashim Thaçi komandon mashën, ndërkohë që vetë është po mashë e Viçiqit. Edi Rama ngrohet në zjarrin që ka ndez Beogradi, e trazon Thaçi me mashën e vet. Kush ka vetëm pak intuitë dhe pak nuhatje politike, e kupton se Hashim Thaçi, në stilin e sivëllëit të tij kryeministër të Shqipërisë, po tallet me viktimat e veta, qytetarët e Kosovës, po i përçmon ata në mënyrën më barbare dhe po sillet me Kosovën, sikur ajo të ishte pronë e vetja. Edhe pronën e tij private ai që e posedon nuk mund ta shesë me ligj pa dakordësinë e anëtarëve të familjes së paku mbi 18 vjeç. Hashim Thaçi ka vendosur ta copëtojë e ndajë Kosovën në vija etnike pa pyetur për ligj, për kushtetutë, për të drejtën që e ka çdo qytetar i atij vendi mbi territorin e saj. Prandaj duhen gjetur burra e gra që presidentin e Kosovës ta mbyllin në presidencë, ta detyrojnë të merret vetëm me protokollin e presidencës, ta shkarkojnë nga detyra e rrëmbyer si kryenegociator në bisedimet me Serbinë, madje t’ia ndalojnë çdo kontakt fizik e telefonik me anëtarët e këtij grupi negociator. Shkurt, Hashim Thaçi dhe Edi Rama duhen shpallur non grata në pjesmarrjen e tyre në çfarëdo forme në negociatat me Beogradin. Izoloni dhe Lutfi Hazirin, Neshat Dacin e këdo tjetër që nëpërkëmbë sovranitetin e Kosovës!
2. Sot ka dalë dhe një provokim i ri. Edi Rama urdhëroi një opinionist të Shqipërisë të flasë për demarkacionin e kufirit të Kosovës me Shqipërinë. Këtij opinionisti ish-ministri im demokrat i kulturës i pati dhënë çmimin kombëtar për kolumnen më të mirë, edhe pse ai asokohe e sot bën pjesë në lobingje të dyshimta të dëmshme për vendin tonë, si manekin i Edi Ramës e ndonjë tjetri. Mesa lexoj midis rrjeshtave, mesazhi i kryeministrit të Shqipërisë është ky: “Jepjani ju veriun e Kosovës Serbisë, sepse ne do jua japim në këmbim të kësaj veriun e Shqipërisë. Ka ekzistuar një ide e tillë e çmendur para njëzet vitesh, kur Edi Rama ishte ministër kulture në këtë vend të marrësh! Po riaktivizohet prapë një ide e tillë. Veriu i Shqipërisë duket se shihet si “pjesa reaksionare” për qeverisjet e socialistëve dhe si e tillë ajo “duhet bashkuar me raksionarët e Kosovës”, por që sot fatkeqësisht po manipulohen nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi. Diletantët politikanë të rajonit tonë në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri besojnë se “deti po bëhet kos dhe o burra të marrë kush është i zoti lugën e të hidhet brenda”! Edhe Thaçi e tha sot hapur: “Nëse ne në Kosovë vendosim ta ndajmë Kosovën, Fuqitë e Mëdha nuk do të jenë kundër”! Kaq pristë në Beograd Vuçiqi e Daçiqi, këtë paska pritur me shumë entusiazëm presidenti i Kosovës! Bravo! Më shumë nuk ka nevojë për këtë radhë! Tiranë.