Thaçi drekon me Zëvendësndihmës-Sekretarin Amerikan, flasin për krijimin e ushtrisë

29.03.2017 16:04:41

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë të ditur se ka patur një drekë pune me zëvendësndihmës-Sekretarin Amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se në njëperiudhë sfiduese për rajonin, roli i SHBA-së si gjithmonë është vendimtar për ruajtjen e stabilitetit dhe paqes në Ballkanin Perëndimor.

 

“U pajtuam për veprimet konkrete drejt realizimit të prioriteteve kryesore për Kosovën, që ndërlidhen me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, fillimin e punës për hartimin e statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe për procesin e transformimit të FSK-së në ushtri të Kosovës, nëpërmjet një procesi transparent dhe gjithëpërfshirës”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Sipas tij, SHBA-ja është dhe gjithmonë do të mbetet partneri kryesor strategjik në rrugën tonë euroatlantike.