Thaçi, homazhe për aktivistin e LDK-së të vrarë pas luftës

18.01.2017 14:16:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të shkojë sot në fshatin Turiqec të Skënderajt për të bërë homazhe te varri i Haki Imerit, i vrarë në rrethana ende të pasqaruara në nëntor të vitit 1999 në fshatin e tij.

Pas homazheve, Thaçi do të marrë pjesë në një akademi përkujtimore për Haki Imerin e cila mbahet në shkollën fillore “Abedin Rexha” të këtij fshati.

Zyra e Presidentit të Kosovës bën të ditur se Akademia Përkujtimore për Haki Imerin organizohet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Imeri, i cili është vrarë më 2 nëntor të vitit 1999, ka qenë arsimtar në shkollën e fshatit dhe aktivist i Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vrasja e tij nuk është zbardhur ende nga organet e drejtësisë.