Thaçi i përgjigjet Albin Kurtit: Qe 20 vite agjenda juaj është e njëjtë me të Beogradit

31.03.2018 13:26:03

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është kundërpërgjigjur akuzave të Albin Kurtit, i cili tha se presidenti e ka ditur në lidhje me deportimin e turqve nga Kosova.

Thaçi ka drejtuar disa akuza në drejtim të liderit të VV-së. Ka thënë se Albin Kurtit qe 20 vite i përputhen agjendat me Beogradin zyrtar, raporton lajmi.net

“Sa i përket liderit të Vetëvendosjes, nuk po i hiqet nga obsesioni emri im. Agjenda e tij qe 20 vite përputhet me Beogradin. Duke filluar nga Konferenca e Rambujesë e tutje”, ka thënë Thaçi në konferencën për media.

Thaçi ia ka përmendur Kurtit edhe lidhjet me Iranin dhe Putinin, madje e ka akuzuar që pikërisht të njejtit ia finanojnë partinë.

“Cilat janë lidhjet e rregullta që i dërgon në Stamboll, në trajnime mujore? Kush janë individët nga Irani që ia financojnë partinë? Cilat janë lidhjet e tij me njerëzit e Putinit në Ballkan? Përgjigjet i di unë, por duhet t’i dijë i gjithë populli”, ka thënë presidenti i vendit.

Thaçi gjithashtu ka folur edhe për organizatën Syri i Popullit. Ai ka akuzuar VV-në se ka pasur lidhje me këtë organizatë e cila ka përpiluar lista për likuidimin e njerëzve.

Presidenti ka përfunduar përjigjen e tij duke thënë se askush nuk duhet ta keqpërdor lëshimin me rastin e deportimit të turqve, për të përfituar politikisht.