Thaçi kërkon që zgjedhjet të jenë “proces i ndershëm demokratik”

11.05.2017 16:40:25

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në profilin e tij në Facebook ka shkruar për vendimin që zgjedhjet e parakohshme të mbahen më 11 qershor të këtij viti.

“Pas konsultave me përfaqësues të partive politike dhe me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, mbështetur në Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, kam marrë vendim që data e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të jetë 11 qershor 2017.

Kërkoj nga institucionet e Kosovës që, si gjithmonë, të jenë në krye të detyrës dhe në shërbim të qytetarëve.

Nga partitë politike kërkojmë që edhe këtë herë të tregojnë kulturë të lartë politike para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, duke dëshmuar edhe njëherë se Kosova mbetet shembull në rajon për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

Një proces i ndershëm, demokratik dhe i pranuar nga të gjithë duhet të jetë pikësynimi jonë i përbashkët”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook.