THAÇI KONTRAVERS DHE I PABESË!

22.01.2019 14:20:42

Se Presidenti i Kosovës, është një figurë e imponuar realitetit politik kosovar, këtë nuk ka nevojë ta argumentoj askush!Se ai u imponua si çlirimtar, ishte i pranueshëm për adeptët e tij, të cilët asnjëherë nuk mundën ta tejkalojnë numrin e shokëve të tij ushtarë dhe të familjarëve të tyre, edhe kjo është e qartë.Edhe kur u bë President me vota të blera, të shantazhuara dhe të shkërdhyera të LDK-së, ai nuk arriti ta shtojë prestigjin e tij në sytë e atyre që e kontestuan vazhdimisht dhe nuk arriti të bëhet kurrë “figurë unifikuese” e kombit dhe shtetit, siç është i caktuar edhe me Kushtetutë roli i Presidentit.


Atë që e kanë thënë analistët dhe njohësit e tij për të, si njeri dhe personalitet, për këtë njeri, unë vetëm po i parafrazoj se “ai është njeriu që i ka sjellur telashet, të këqijat dhe përqarjet më të mëdha këtij populli e vendi”!!!


Portretin më të mirë, me dy fjali të këtij njeriu duke ngërthyer sjelljet e tij, e kam lexuar prej publicistit dhe politikologut Behlul Beqaj kur thotë:”Thaçi gjatë luftës quhej “gjarpër”, por vepronte si “Hashim”, ndërkaq, pas lufte quhet “Hashim”, por vepron si “gjarpër”!!!Kjo na e jep më së miri portretin e këtij njeriu, i cili ( me fajin e atyre që e zgjodhën dhe i shkojnë prapa), edhepse i zgjedhur President, Kosovën e konsideron “feud” të vetin, dhe jo më tepër se një “fermë kafshësh” e demash, me të cilën dhe në të cilën sillet si t’ia dojë qejfi!


Cilindo veprim me peshë kombëtare, që ka ndërmarrë Presidenti ynë, na del figurë kontraverse, përçarëse, jounifikuese dhe i dëmshëm.Sa ka kaluar koha me veprimet e tij, ky njeri ka pësuar një devalvim të peshës politike: merreni kokëfortësinë dhe budallallëkun e tij në Konferencën e Rambujesë, për ta faktorizuar veten; pozat e tij gjatë kohës së luftës dhe deklaratat pas lufte se “gjithmonë ka qenë larg saj”; çarmatosjen e UÇK-së në shtator 1999 pa ia varur askujt dhe pa dëgjuar askend; aktin e imponueshëm të shpalljes së pavarësisë dhe hallakamën për ta lexuar vet “Deklaratën e Pavarësisë”, kur ajo ishte e udhës të shpallej nga Presidenti, ose Kryetari i Kuvendit, meqë bëhej në Kuvend; shkarkimet e tri Qeverive të deritashme më 2010, 2014 dhe 2017, sipas skenarëve dhe obstruksioneve të tij, pa e mbaruar asnjëra mandatin dhe duke u zgjedhur pastaj secila më e dobët se tjetra, ose ma e pykave, të shkaktuara prej tij se tjetra; ia solli Kosovës raportin e Dick Marty-t; votimin e Gjykatës Speciale; shantazheve në Kuvend për shfuqizimin e saj në dhjetor 2017; bisedimet Vienës e Brukselit me Serbinë me shumë retorikë e patetikë, por pa asnjë sukses dhe tani së fundi idenë për korrigjim kufijsh me Serbinë, që askush nuk e mbështet, madje as sejmenët e tij.


Me Serbinë në Bruksel me ndërmjetësimin e BE-së bisedohet prej vitit 2011, ku figurë kyqe me insistimin e tij, edhe si Kryeministër, Ministër i Punëve të Jashtme, e prej 2016 si President është sërish Hashim Thaçi!Duke parë se rrethi po ngushtohet, se kjo barrë kaq e rëndë e vendosjes për fatin e Kosovës vetëm nga një njeri, që nuk mund ta qojë, ka kohë që ai po thërret tani grup negociator për bisedimet me Serbinë, për t’i “ndihmuar” për këtë peshë kombëtare, të cilën pasi të nënshkruhet marrëveshja, duhet ta miratojë Kuvendi i Kosovës me 2/3 e votave.


Pas një jave”pushimi” që siç lajmëruan mediat, Presidenti nuk ishte në opinion, dje ai, pa prezencën e mjeteve të informimit, ekipit negociator, kryesuesve të tij, Fatmir Limajt dhe Shpend Ahmetit, ua dorëzoi raportin 9 faqesh nga këto bisedime gati nëntë vjeçare (një faqe për një vit), për çka këta dy të fundit ishin të pakënaqur dhe treguan se bisedimet janë në stadin zero, nga i cili duhej filluar, edhepse është biseduar dhe është hargjuar kaq shumë kohë dhe mjete për këto negociata me Serbinë mospërfillëse.Ata, madje thanë se nuk u janë dorëzuar traskriptet nga bisedimet, për të parë ecurinë e tyre deri në nivelin zero!


Pra, tani Presidenti me hipokrizi gjenë njerëz t’ua lë pataten e nxehtë në duar, duke u thënë “thene qafën tash ju, se unë boll m.. e bëra!”
Mos qofsha në lëkurën e Limajt e Ahmetit, që marrin këso përgjegjësie, kur ky proces për 9 vite bisedimesh është devalvuar në nivelin zero, tash i pari i vendit tonë thotë ekskluzivisht se “marrëveshja do të nënshkruhet brenda disa muajsh me Serbinë dhe çdo gjë do të jetë në rregullë!!!”Sigurisht, Limaj e Ahmeti i besojnë kësaj batute të Thaçit, ndryshe nuk do ta merrnin këtë përgjegjësi kaq të rëndë.


Nëse për 9 vite, rezultati është ZERO, çfarë mund të bëhet për 2-3 muaj, për aq sa do të zgjasin bisedimet dhe do të nënshkruhet marrëveshja përfundimtare, siç thotë Presidenti!
Ec e besoj asaj që thotë ky njeri, që deri sot sopata kurrë nuk i preu në një vend, për këto që thotë! Përralla, përralla, ha qeni arra!