Thaçi: Kosova mund ta heq taksën, nëse kemi një rrugë të qartë drejt marrëveshjes finale me Serbinë

06.01.2019 20:27:41

Nën presionin e administratës së presidentit Donald Trump dhe me premtimin e tij për një ceremoni paqeje, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është zotuar të marrë një hap të madh drejt zgjidhjes së tensioneve me kundërshtarin ballkanik, Serbinë.

Trump ka bërë një ftesë jashtëzakonisht të drejtpërdrejtë për liderët e Kosovës dhe të Serbisë në kohën kur armiqësitë e 10 viteve të fundit kërcënojnë të shpërthejnë në konflikt të armatosur, ndërkohë që administrata e tij punon në kanale të fshehura që të ulë tensionet me Serbinë e mbështetur nga Rusia, shkruan Washington Post.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë një udhëtim diplomatik të paraportuar në Berlin, muajin e kaluar, ku ka takuar ambasadorin amerikan, Richard Grenell, njeri i besueshëm i presidentit Trump.

Thaçi u zotua se do të angazhohej për ndryshimin e kursit në tarifat sanksionuese në të gjitha mallrat serbe.

Në një bisedë me The Washington Post, të premten, e realizuar në gjuhën angleze me shkëmbime elektronike, Thaçi u shpreh se ai është “gati të shqyrtojë heqjen e tarifave nëse Kosovës i jepet një rrugë e qartë drejt arritjes së një marrëveshjeje finale paqësore me Serbinë”.

Në artikull citohet edhe mesazhi i Trump në letrën drejtuar Thaçit.

“Dështimi për të përfituar nga kjo mundësi unike do të ishte pengesë tragjike, pasi shans tjetër për marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk ka gjasë të ndodhë së shpejti”.