Thaçi: Nuk mund të lejohet që Kosova të pësojë për shkak të një pakice ekstremiste

03.09.2016 11:50:52

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka dënuar dëmtimin e pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër të Lipjanit.

Përmes një komunikate për media Thaçi ka theksuar se “Është i dënueshëm dëmtimi i pllakës përkujtimore në Grackë të Vjetër duke shtuar se çdokush që ia do të mirën Kosovës e dënon këtë akt të papranueshëm”.

Gjithashtu Thaçi ka thënë se incidentet si ky cenojnë marrëdhëniet e mira ndëretnike që po promovon Kosova, shkaktojnë frikë, zemërim e urrejtje dhe për këto nuk ka nevojë askush në Kosovë.

“Duke promovuar dialogun, pajtimin, bashkëpunimin, luftimin e çdo ekstremizmi, jemi pranuar si pjesë e bashkësisë ndërkombëtare. Vetëm duke i promovuar këto vlera e ruajmë vendin që e meritojmë në bashkësinë ndërkombëtare”, ka shtuar presidenti Thaçi.

 

Ai ka theksuar po ashtu se Kosova nuk mund të lejojë të pësojë për shkak të një pakice ekstremiste.

“Qytetarët e Kosovës, shumica dërmuese, të gjitha komunitetet, janë për paqe, për stabilitet, për zhvillim, për jetë më të mirë për të gjithë. Vetëm një pakicë fare e vogël ende ushqen ide ekstremiste dhe përjashtim, frikë e urrejtje. Nuk do të lejojmë që kjo pakicë të cenojë ambiciet dhe aspiratat e shumicës së Kosovës”, ka përfunduar presidenti Thaçi.