Thaçi: Masakra e Krushës ndër krimet më të mëdha të Serbisë

26.03.2017 14:16:43

Në përvjetorin e 18-të të masakrës së Krushës së Madhe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se shteti i Serbisë ka kryer krimet më të mëdha ndaj popullatës civile më 25,26 dhe 27 mars 1999.

Përmes një postimi në Facebook, Thaçi ka thënë se “këtë përvjetor shpreh dhembjen për familjet që pësuan rëndë nga ushtrimi i dhunës shtetërore serbe në vitet 1998 -1999”, transmeton Telegrafi.

Postimi i plotë i Thaçit:

“Një ndër krimet më të mëdha të shtetit të Serbisë kundër popullatës civile shqiptare ndodhi më 25, 26 dhe 27 mars 1999 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Forcat ushtarake dhe policore serbe vranë mbi 243 persona: fëmijë, të rinj, të reja, gra, burra dhe pleq.

Edhe në këtë përvjetor shpreh dhembjen për familjet që pësuan rëndë nga ushtrimi i dhunës shtetërore serbe në vitet 1998 -1999.

Njëkohësisht inkurajoj sërish organet e drejtësisë që sa më parë të hetojnë këto vrasje dhe masakra kudo në Kosovë. HTH” (sic.), ka shkruar Thaçi.