Thaçi: Me fitoren e PDSH-së situata e përgjithshme politike dhe ekonomike do të ndryshojë për shqiptarët

09.10.2016 14:49:08

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, ka vazhduar në Çegran fushatën e tij dhe partisë së tij për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që duhet të mbahen më 11 dhjetor, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Thaçi para të pranishmëve tha ”Këta të cilët janë në pushtet asgjë nuk kanë realizuar, prandaj konsiderojmë se fajtorë kryesorë për këtë situatë të rëndë në të cilën gjenden shqiptarët janë BDI-ja. Kjo gjendje e keqë nuk do të ndryshon pa një angazhim të fuqishëm, andaj të gjithë fuqimisht duhet të punojmë për ta ndryshuar këtë situatë. Ballafaqohemi me një diskriminim të madh ekonomik dhe ajo që ne si PDSH e kërkojmë është që paratë tona që na i marrin nga tatimet të na i kthejnë prapë, ashtu siç kthehen në zonat e maqedonasve që janë bërë perfektë, kurse zonat ku jetojnë shqiptarët ngelin të pa zhvilluara. Një debatë publik mes meje dhe Ali Ahmetit do të sqaronte shumë dilema te popullata dhe do të kontribuonte në demokratizimin e vendit.”

Më tej Thaçi tha ”Beteja tjetër e PDSH-së do të jetë që zgjedhjet të jenë të drejta, të lira dhe demokratike, si dhe që të garantohet fshehtësia e votës, dhe për këtë kemi përkrahjen dhe garanca edhe nga bashkësia ndërkombëtare.”

”Kur Partia Demokratike Shqiptare do të fitojë mandatin, atëherë situata e përgjithshme politike dhe ekonomike do të ndryshojë dhe shqiptarët do të mund të kenë një jetë dinjitoze” përfundoi Menduh Thaçi.