Thaçi, në Tiranë për Festën e Flamurit

28.11.2016 23:09:19

Presidenti Hashim Thaçi ka treguar se me ftesë të Presidentit Bujar Nishani, për 104-vjetorin e Shqipërisë është duke qëndruar në Tiranë.

“Me ftesë të presidentit Bujar Nishani, mora pjesë në ceremoninë shtetërore kushtuar 104-vjetorit të pavarësisë të Shqipërisë në Tiranë.

28 Nëntori është festë e rrënjosur thellë në vetëdijen tonë historike, kombëtare dhe politike. Ekzistenca e shtetit shqiptar, pavarësisht nga sistemi politik, rendi kushtetues dhe ideologjik, për shqiptarët kudo që jetonin, ka qenë shpresë, besim dhe ëndërr që një ditë do të arrinin aspiratën e lirisë.

Besimi dhe dashuria ndaj Shqipërisë, flamurit kuqezi, vlerave të përbashkëta kulturore, traditave dhe lidhjeve të një gjaku, na ka mbajtur të gjallë gjatë tërë shekullit të ndarjes.

Sot, kur Shqipëria feston 104 vjetorin e Pavarësisë, Kosova ka hyrë në 17 vjetorin e çlirimit dhe 9 vjetorin e pavarësisë”, ka shkruar Thaçi në profilin e tij në Facebook. /Telegrafi/