Thaçi nuk ndalet, i bën ftesën e tretë Albin Kurtit

30.12.2019 13:00:24

Pas dy ftesave të refuzuara, Presidenti Hashim Thaçi i ka dërguar sërish ftesë për takim liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtit. Takimi parashihet të mbahet nesër në orën 10:00, në Presidencë.

 “Me qëllim konsultimin për të propozuar kandidatin për Kryeministër për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju ftoj sërish për takim konsulativ, me datën 31 dhjetor 2019, në orën 10:00, në Kabinetin e Presidentit të Republikës së Kosovës”, thuhet në ftesën e Thaçit drejtuar Kurtit.

Dje Albin Kurti tha se Presidenti përcakton vetëm datën e konstituimit të Kuvendit e jo të formimit të Qeverisë.

“Formimin e Qeverisë e përcakton tjetërkush, e jo presidenti. Mua datën për formimin e Qeverisë ma përcakton Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Më parë Thaçi i kishte dërguar dy ftesa të tjera Albin Kurtit për tu takuar për mandatimin e këtij të fundit për formimin e qeverisë. LVV ftesës së parë iu përgjigj se Kurti ndodhej jashtë Prishtinës dhe se Albin Kurti do t’I komunikonte presidentit orën dhe datën e takimit kurse ftesës së dytë lideri i VV iu përgjigj duke kritikuar Thaçin se fillimisht i kishte përcjellë ftesat te portalet.

Mister mbetet se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim, nëse do të ketë tentativa të tjera nga Vetëvendosje për koalicion me LDK-në për krijimin e qeverisë së re.