Thaçi: Pa Shqipërinë, s’do ta kishim këtë Kosovë të pavarur

05.10.2016 10:32:42

Hashim Thaçi e ka kaluar disa herë kufirin Kosovë-Shqipëri për të mbërritur në Tiranë. Dikur me kureshtje, më pas i detyruar dhe më vonë me një protokoll të mirëfilltë. Kur mbërriti këtë fillimtetori në selinë e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për herë të parë me statusin e Kreut të Shtetit të Kosovës, 48-vjeçari nga Buroja e Skënderajt i ka kaluar ndoshta si në një film “sorrollatjet” e tij, andej e këtej kufirit.

Në intervistën për “Shekullin”, pak përpara udhëtimit drejt Shkodrës, ku do të vlerësohej me titullin “Qytetar Nderi”, presidenti i Republikës së Kosovës flet qartë për atë që e cilëson si “çimentimi i marrëdhënies mes dy shteteve tona”. Hashim Thaçi e analizon këtë marrëdhënie në nivelin politik, ekonomik e kulturor dhe e rendit si “në përputhje të plotë me aspiratën tonë evropiane”. Ai është i prerë dhe shprehet krejt indiferent për çfarë thotë e mendon Beogradi lidhur me afrimin dhe kontaktet e shpeshta mes dy shteteve shqiptare. Për këtë, Thaçi përmend edhe luftën. “Unë kam luftuar që shqiptarët të vendosin vetë për veten dhe mos të merret leje në Serbi për ato që ne vendosim apo dëshirojmë”, thotë Thaçi.

Presidenti Thaçi kujton edhe vizitën e parë në Shqipëri, që e cilëson edhe më të vështirën e më emocionuesen. Ai kishte menduar një Shqipëri tjetër dhe ishte përballur me një realitet krejt tjetër. “Shqipëria ka qenë burim frymëzimi e shprese në çdo moment të vështirë dhe unë e them me bindje të plotë që pa Shqipërinë, ne nuk do të kishim kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur sikurse e kemi sot”, thotë Thaçi. Kreu i Shtetit të Kosovës e kërkon edhe një herë ndihmën e Shqipërisë, tashmë për të fituar një ndeshje futbolli. Thaçi do të jetë nesër në Shkodër, së bashku me kryeministrin Edi Rama, për të ndjekur ndeshjen Kosovë-Kroaci, ndaj ai fton tifozët ta mbështesin Kombëtaren e Kosovës.

Zoti president, ndodheni në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri dhe ky fakt u vlerësua publikisht edhe nga presidenti Nishani. Pse zgjodhët këtë moment për të vizituar Shqipërinë?

“Unë e kam vizituar shumë herë Republikën e Shqipërisë në cilësi të ndryshme, por është hera e parë që bëj një vizitë shtetërore si President i Republikës së Kosovës. Pavarësisht nga pozicioni, unë me të gjithë përfaqësuesit e lartë politik të Republikës së Shqipërisë mbaj lidhje të drejtpërdrejtë e të përhershme dhe na rastis të takohemi dendur në aktivitetet e shumta shumëpalëshe ndërkombëtare ku marrim pjesë. Caktimi i datave të vizitës sime lidhet me një mori rrethanash dhe ka të bëjë edhe me agjendat shtetërore të institucioneve tona dhe koordinimin me agjendat e figurave më të larta të vendeve tona.

Ne e kemi ndërtuar tashmë një traditë të shkëlqyer të bashkëpunimit të ngushtë vëllazëror mes dy shteteve dhe të organizimit të vizitave të dendura të ndërsjella. Për mua ishte kënaqësi që pata takime të frytshme me presidentin, kryetarin e Kuvendit, kryeministrin, liderin e opozitës dhe kryebashkiakun e kryeqytetit dhe shpresoj t’i shoh së shpejti në vizitat e tyre në Prishtinë”.

Në nivelin politik, marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë janë shumë të mira. Cili është niveli aktual i marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë edhe në aspektet e tjerë, kryesisht në ekonomi dhe kulturë?

“Kur flitet për bashkëpunimin tonë në fushën e kulturës, unë mendoj se ato janë në nivel të shkëlqyer. Po të shikohet bota e artit për shembull tanimë është e vështirë që të bëhet dallimi mes nesh. Projektet e përbashkëta janë të panumërta, në radiot dhe kafenetë e Tiranës kumbon muzika bashkëkohore e prodhuar në Prishtinë dhe anasjelltas, libraritë e Prishtinës janë përplot të mbushura me autorë nga Shqipëria.

Për sa i përket ekonomisë duhet kuptuar që struktura ekonomike e të dy shteteve tona është e tillë, që pavarësisht vullnetit të mirë politik të dyanshëm që ekziston, ne e kemi të kufizuar potencialin për të bërë tregti me njëri-tjetrin. Sektori i prodhimit është i vogël në të dy shtetet tona ku ekonomia varet nga importet dhe deficit i bilancit tregtar është goxha i thellë. Megjithatë vlen të thuhet se jemi duke avancuar shpejt në bashkëpunimin ekonomik. Pas Autostradës së Kombit, ne ndërtuam autostradën energjetike mes dy shteteve dhe kemi ndërmarrë një sërë projektesh të rëndësishme të bashkëpunimit, në kuadër të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive tona. Nuk është rastësi që në këtë vizitë unë u shoqërova nga ministri i Bujqësisë së Kosovës, z. Memli Krasniqi dhe ministri i Infrastrukturës z. Lutfi Zharku. Bisedat e zhvilluara gjatë takimeve të mia nuk kishin vetëm dimension simbolik politik, por trajtuan edhe çështje konkrete të bashkëpunimit ndër-shtetëror”.

Ju vini nga një eksperiencë edhe si drejtues i qeverisë së Kosovës. A shikoni përmirësim në lehtësimin e marrëdhënieve ekonomiko-tregtare apo të lëvizjes së qytetarëve mes dy vendeve?

“Për sa i përket bashkëpunimit ekonomik, unë jam i gëzuar që po shoh se gradualisht po arrin nivelin e lidhjes politike dhe kulturore. Fal investimeve që janë bërë në infrastrukturë dhe rritjes së bashkëpunimit tonë institucional ndërshtetëror, tregtia është rritur me 20% vetëm gjatë vitit të kaluar, duke arritur një volum prej 200 milionë eurosh në vitin 2015. Shqipëria është destinacioni i parë i prodhimeve ‘Made in Kosova’, ndërsa Kosova është destinacioni numër dy i eksporteve të Shqipërisë me çka do të thotë se ne jemi bërë tashmë edhe partnerë tregtarë shumë të rëndësishëm. E njëjta gjë mund të thuhet për turizmin, i cili e ka ndjerë më së shumti impaktin e Rrugës së Kombit. Jo vetëm që janë shtuar vizitat e banorëve kosovarë në Shqipëri, por tashmë ka filluar të shtohet edhe numri i vizitorëve të Shqipërisë në Kosovë. Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se numri i vizitorëve të Republikës së Shqipërisë dhe numri i tyre i qëndrimit në hotelet e Kosovës është duke u masivizuar viteve të fundit. Në vitin e kaluar numri i vizitorëve nga Shqipëria gati është dyfishuar krahasuar me vitin 2014 duke bërë që turistët e Shqipërisë të zënë numrin e parë për nga turistët që vijnë në Kosovë nga jashtë shtetit me mbi 20% të totalit”.

Në cilën pikë të rrugëtimit të saj për njohje të plotë dhe integrim në strukturat ndërkombëtare ndodhet Kosova?

“Kosova njihet nga 112 shtete dhe ka nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian, gjë që ka shënuar një hap vendimtar për procesin e integrimit të Kosovës në këtë organizatë. Presim që së shpejti të materializojmë liberalizimin e vizave dhe të nisim partneritetin për integrim në NATO. Viti i kaluar, pavarësisht zhvillimeve intensive politike të brendshme politike në Kosovë, ka shënuar arritje të rëndësishme në anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërshtetërore. Ne ia dolëm ta anëtarësojmë Kosovën në Gjykatën Permanente të Arbitrazhit, ta bëjmë pjesë të Konventës së Apostilës apo ta përfshijmë në Organizatën Botërore të Ekspozitave, si dhe në një sërë nismash të rëndësishme rajonale. Është e vërtetë që për tre vota nuk u anëtarësuam në UNESCO, jemi të sigurtë qe do i sigurojmë të gjitha votat e nevojitura në përpjekjen e ardhshme, mirëpo ndërkohë ia dolëm ta anëtarësojmë Kosovën në UEFA dhe FIFA, si dhe të marrim pjesë në Lojërat e para Olimpike në Brazil e të fitojmë medaljen e parë olimpike në to. Pra Kosova ecën në drejtimin e duhur me hapa të qëndrueshëm drejt konsolidimit të pozicionit të saj si shtet i pavarur e sovran në arenën ndërkombëtare”.

A shkakton xhelozi dhe probleme në Serbi dhe faktorë të tjerë ndërkombëtarë afrimi dhe kontaktet e shpeshta mes Shqipërisë dhe Kosovës?

“Unë kam luftuar që shqiptarët të vendosin vetë për veten dhe mos të merret leje në Serbi për ato që ne vendosim apo dëshirojmë, kështu që jam krejt indiferent për opinionet e Beogradit për ne. Për sa i përket faktorit ndërkombëtar dashamirës, ne jemi në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me aleatët tanë perëndimorë.

Bashkë me Republikën e Shqipërisë nuk na bashkon vetëm identiteti dhe historia, por edhe orientimi gjeostrategjik i të dy shteteve tona drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian, drejt miqësisë së përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe drejt vlerave universale të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Fqinjësia e mirë dhe integrimi rajonal është madje parakusht për anëtarësim evropian, prandaj çimentimi i marrëdhënies mes dy shteteve tona është në përputhje të plotë me aspiratën tonë evropiane”.

Gjatë jetës suaj e keni vizituar Shqipërinë në statuse të ndryshme, si qytetar i thjeshtë, në ilegalitet, si drejtues i UÇK-së, si ministër, si kryeministër, etj. Së fundmi po qëndroni në Tiranë si president i Kosovës. Cila ka qenë vizita më emocionuese për ju dhe cila më e vështira?

“Vizita ime e parë në Shqipëri ka qenë vizita ime më emocionuese, por njëherazi më e vështira. Familja më ka edukuar që në fëmijëri me një dashuri të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe ky ambient ku jam rritur më ka bërë që të vendos të studioj historinë e popullit tim në Universitet. Unë e kam pas ëndërruar për një kohë të gjatë vizitën në Shqipëri dhe e kam pritur i përmalluar realizimin e saj. Kur shkela në tokën e Republikës së Shqipërisë për herë të parë jam ndjerë shumë i prekur dhe i përmbushur. Ne prej dëshirës së mirë i kemi besuar propagandës që na vinte prej regjimit komunist dhe kemi besuar sinqerisht se Shqipëria ishte e zhvilluar dhe e fortë. Mirëpo kur erdha këtu u ballafaqova me një realitet të dhimbshëm varfërie, krejt ndryshe nga çfarë e prisja, gjë që më përzjeu emocionet e gëzimit me ato të pikëllimit. Megjithatë, ato që pashë u detyrova t’i mbaj për vete e mos t’ua them shokëve të lëvizjes sonë kur kthehesha në Kosovë për mos t’i demoralizuar. Për ne Shqipëria ka qenë burim frymëzimi e shprese në çdo moment të vështirë dhe unë e them me bindje të plotë që pa Shqipërinë, ne nuk do të kishim kurrë një Kosovë të lirë e të pavarur sikurse e kemi sot”.

Pas pak ditësh, Shqipëria do të mirëpresë edhe ekipin kombëtar të Kosovës, që do të luajë në Shkodër kundër Kroacisë. A do të jeni në stadium dhe a keni një mesazh edhe për tifozët nga Shqipëria, që do të kenë mundësinë t’u kthejnë “borxhin” tifozëve të shumtë nga Kosova që kanë mbështetur Shqipërinë ndër vite?

“Unë do të jem në stadiumin e Shkodrës në ndeshjen e përfaqësueses së Kosovës me atë të Kroacisë dhe ftoj të gjithë dashamirësit e futbollit të Republikës së Shqipërisë që të japin maksimumin e përkrahjes për vëllezërit e tyre përtej kufirit në këtë ndeshje të vështirë për ne. Të gjithë duhet të kuptojnë se fitoret e ekipit të Kosovës kanë rëndësi të veçantë për ne, sepse promovojnë shtetin tonë të ri, forcojnë pozicionin tonë ndërkombëtar. Prandaj jam shumë i gëzuar, që për të dhënë këtë mesazh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur që të vijë në stadiumin ‘Loro Boriçi’ për të mbështetur përfaqësuesen e Kosovës”.