THAÇI: PAJTIMI NDËRETNIK NË KOSOVË DO TË NDODH

05.05.2017 12:15:55

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur takimin e radhës konsultativ për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Para shoqërisë civile, presidenti Thaçi ka prezantuar edhe draftin e projekt-rregullores, me të cilin do të dekretohet themelimi i këtij komisioni.

Presidenti Thaçi pohoi se shoqëria civile ka kontribuar në të gjitha këto projekte dhe mund të ofrojë rekomandime të vlefshme, për projektin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin.

Ndërsa tha se inkurajuese është edhe përkrahja që kanë marrë dhe nga ekspertë ndërkombëtarë dhe organizata ndërkombëtare, që janë të gatshëm të mbështesin në forma të ndryshme projektin.

Presidenti Thaçi ka thënë se dekreti me të cilin do të themelohet komisioni, duhet të garantojë pavarësi, paanshmëri dhe gjithëpërfshirje. Ndërsa pohoi se është i sigurt që pajtimi ndëretnik në Kosovë do të ndodh.

“Do të bëjmë hapin e madh drejtë mbylljes së kapitullit të luftës. Kjo nuk do të thotë se do të harrojmë atë që ka ndodhur. Komisioni do të ndërtojë kujtimet e përbashkëta për luftën, por dhe do të nxjerrë mësime dhe rekomandime, që mos të lejojmë që lufta të përsëritet. Kemi dëshmuar se jemi të përcaktuar për një kapitull të ri të paqes, të bashkëpunimit dhe bashkëjetesës në Kosovë dhe rajon. …Komisioni për të drejtën dhe pajtimin është një nga gurë themelet e kësaj shtëpie që po ndërtojmë, që është shembull për rajonin dhe me gjere. Unë dua të besoj dhe shpresoj që do të punojmë të gjithë së bashku në një komision të paanshëm, jashtë politikës, i mbështetur fuqishëm nga institucionet e Kosovës. Komision ky që do të sjellë tek e vërteta, tek normaliteti, pajtimi dhe drejtësia. E kam theksuar dhe me herët, komisioni nuk e zëvendëson drejtà «sinë. Përkundrazi e ndihmon drejtësinë. Jam i sigurt që pajtimi ndëretnik në Kosovë do të ndodh. Natyrisht kërkohet energji, përkushtim, vullnet i të gjithëve”, tha Thaçi.

Analisit Ramush Tahiri, paraqiti disa vërejtje sa i përket emërimit të këtij komisioni. Ndërsa propozoi që mandati i këtij komisioni, të përputhet dhe me mandatin e presidentit.

“Kosova edhe pse është vonuar, prapë është në kohë që po e themelon komisionin për të vërteten. Mendoj se emërtimi nuk është adekuat, nëse flasim për të vërteten dhe pajtimin, sepse rrethanat e krijuara dhe atë që e kemi kaluar, po keqkuptohet çështja e pajtimit dhe po konsiderohet si këshill pajtimi. Dhe qëllimi nuk është zbardhja e të vërtetës dhe gjetja e të dhënave, por po del se qëllim është pajtimi dhe që do të bëjmë kompromis në të dhënat për të hir të pajtimit. Propozoj që emërtimi të jetë, komisioni për të vërtetën në Kosovë, asgjë nuk humb as nga qëllimi as nga struktura as natyra e punës dhe me këtë i eliminojmë polemikat në opinion…Pikë tjetër është mandati i komisionit. Unë propozoj tri vjet. Nuk kanë vendet katër vjet. 36 muaj janë të mjaftueshëm, plus keni lënë mundësi dhe njëherë 6 muaj. Përputhet dhe me mandatin e presidentit. Le të përfundon me mandat të tij”, tha Tahiri.

E më i ashpër sa i përket kësaj projektrregullore ishte Behxhet Shala nga KMDLNJ. Ai tha se kjo projektrregullore, është jo serioze dhe se ka gabime logjike dhe përmbajtjesore. Shala madje pati kritika për stafin e presidentit, të cilët tha se ia kishin shkruar dhe emrin gabim.

“ Herën tjetër ma shkruani emrin korrekt. Kur emri nuk shkruhet si duhet atëherë e jep një draft rregullore që s’vlen as pesë pare. Kjo draft rregullore, ka aq shumë gabime edhe logjike dhe përmbajtjesorë. Duhet të jeni shumë më serioz. Jo me ba një draft rregullore, e cila është kombinim me do dokumente tjera. Por është një kombinim sikur ta marrësh rrotën e fiqes e qet në Bugati. Kjo draft rregullore nuk vlen si e tillë…Kjo është krejtësisht jo serioze. Nuk e di që asnjë komision që është formuar me një rregullore… Nuk pajtohem me qenë 36 muaj. Madje mendoj që edhe 48 muaj nuk janë mjaftë. Ky grup nuk mund të lidhet me mandatin e presidentit. Presidentit ishalla i jep zoti ymër 100 vjet, por nesër mund me dhanë dorëheqje. E tash menjëherë duhet të shuhet dhe ky komision. Kjo fare nuk lidhet me mandatin e presidentit”, tha Shala.