Thaçi: Prej vitit 2008 janë shënuar hapa të mëdhenj në zhvillimin e shtresës së mesme

14.09.2016 17:12:02

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka marrë pjesë në Forumin Global Ekonomik të Torontos, ku ka prezantuar disa nga të arriturat në sferën ekonomike në Kosovë.

Ai përmes një postimi në facebook, ka shkruar ndër të tjera se Kosova u bë prijëse në fushën e reformave dhe tash arritëm ta nënshkruajmë edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në

“Si panelist në Forumin Global Ekonomik të Torontos, duke e marrë si shembull Kosovën, u përqendrova në disa faktorë që kanë ndikuar në rritjen tonë ekonomike dhe në forcimin e shtresës së mesme.

Pas luftës, strategjia jonë e parë e ekonomisë politike ishte “të investojmë në siguri për të siguruar investime”. Ndërkohë që shumicën e energjive dhe burimeve i kishim të orientuara në rindërtim dhe në fushën e sigurisë, ne u fokusuam edhe në reformat e ekonomisë së tregut me privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, në reformat fiskale me uljen e tatimeve dhe heqjen e tyre për shtresat e varfra. Gjithashtu, u përqendruam edhe në reformat arsimore dhe edukative, me krijimin e kushteve për shkollim pa pagesë dhe libra falas, në reformat në shëndetësi dhe në rritjen e pagave për tërë sektorin publik.

Njëkohësisht me këto reforma, për zbutjen e diferencimeve sociale dhe zbutjen e papunësisë, ne i rritëm investimet edhe në përmirësimin e infrastrukturës dhe mirëqenies për banorët e zonave rurale.

 

Kosova u bë prijëse në fushën e reformave dhe tash arritëm ta nënshkruajmë edhe Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.

Në Forumin e Torontos theksova se vendi ynë ka pasur një periudhë të rëndë tranzitore, por prej vitit 2008 janë shënuar hapa të mëdhenj për zhvillimin e shtresës së mesme.

Investitorët e pranishëm i ftova që të vijnë dhe të investojnë në Kosovë. HTH”, ka shkruar Thaçi.