Thaçi: Takimi me Kurtin ishte i hapur, biseduam edhe për dialogun

13.03.2020 18:05:27

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka folur për media pas takimit që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Thaçi ka bërë të ditur se në këtë takim është biseduar edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe mundësitë më të shpejta integruese të Kosovës.

Ai e ka cilësuar takimin me Kurtin si vazhdimësi e takimeve me liderët e tjerë të partive politike.

“Ishte një takim që ka qenë i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të mirën e vendit dhe qytetarëve, për të sotmen dhe të ardhmen. Vlerësoj se pas takimeve që kam zhvilluar me liderët e partive politike, takimi me kryeministrin Kurti ka qenë në vazhdën e konsultave për hapat e mëtutjeshëm që duhet të ndodhin dhe ndërmirren nga institucionet e republikës së Kosovës. Prandaj, konstatoj se takimi ka qenë i gjatë, ka qenë përmbajtësorë, mendoj shumë i hapur, ku janë diskutuar gjërat të cilat kemi pasur vlerësoj këndvështrime konstruktive, është diskutuar për çështjet e brendshme, por edhe politikës së jashtme, pra për interesat nacionale”, tha Thaçi para mediave.

Presidenti Thaçi tha se së bashku me Kurtin kanë konstatuar se puna e përbashkët e liderëve mund ta çojë vendin përpara sa më shpejtë, duke theksuar se me Kurtin kishin më shumë gjëra që i përafrojnë sesa që i ndajnë.

“Kemi diskutuar për reformat që të lëvizim drejt perspektives evropiane, për mundësitë e reja integruese kombëtare, rolin dhe fuqizimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Gjithashtu edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ishte pajtim i përbashkët se puna e përbashkët e liderëve politikë dhe bartësve të institucioneve mund të çojnë vendin më shpejtë dhe më mire përpara. Besoj se ka hapësirë dhe substance të mjaftueshme. Më shumë ka gjëra që na përafrojnë sesa që na ndajnë ta çojmë vendin përpara dhe të ruajmë miqësinë e përjetshme me SHBA-të.”, tha Thaçi.