Thaçi takoi Ministren Freeland, bisedojnë për bashkëpunim ndërkombëtar

23.11.2017 18:44:23

Presidenti i Republikës së Kosovës,Hashim Thaçi, në kuadër të takimeve me zyrtarët më të lartë të shtetit të Kanadasë, ka takuar edhe Ministren e Jashtme të Kanadasë, Chrystia Freeland, me të cilën bisedoi për bashkëpunimin bilateral por edhe në skenën ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi u shpreh i kënaqur që vizitën po e realizon në kohën kur Kanadaja po shënon 150 vjetorin e themelimit të konfederatës dhe se kishte mundësinë që të jepte vlerësimin për angazhimin e Kanadasë për paqe në botë.

“Vizitova kampin ushtarak në Halifax, ku ishin pritur refugjatët kosovarë gjatë luftës. Takova kanadezë që kanë kontribuar për paqen në Kosovë dhe në botë”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Presidenti u shpreh se Kosova është mirënjohëse për përkrahjen që Kanada i ka dhënë me dekada dhe shtoi se kjo miqësi është themel i bashkëpunimit që duhet të thellohet edhe më shumë, veçanërisht në ekonomi dhe në siguri.

Duke folur për të arriturat e Kosovës, Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova tani më është konsoliduar brenda dhe po punon për të përmbyllur konsolidimin e shtetit edhe në skenën ndërkombëtare.

“Rusia është duke kundërshtuar në mënyrë agresive shtetësinë e Kosovës, si në rastin e Surinamit”, u shpreh Presidenti Thaçi dhe ftoi për përkrahje dhe koordinim më të madh në skenën ndërkombëtare me të gjitha shtetet mike.

“Të bashkëpunojmë në lobim për njohje të reja dhe për anëtarësim në organizata tjera ndërkombëtare”, u shpreh Presidenti Thaçi.

Ministrja Freeland u shpreh se Kanadaja është mike e Kosovës.

“Mund të llogarisni gjithmonë në përkrahjen e Kanadasë”, u shpreh Ministrja Freeland dhe shtoi se “është mbresëlënëse çfarë ka arritur Kosova, sidomos kur kihen parasysh sfidat nëpër të cilat ka kaluar”:

Presidenti Thaçi u shpreh se Kosova është e përcaktuar për anëtarësim në NATO dhe në BE dhe shtoi se integrimi i shpejtë i rajonit në NATO dhe BE është mënyra më e mirë për të ndaluar depërtimin e ideologjive anti-perëndimore në Ballkanin Perëndimor.

“E ardhmja e jonë është në NATO dhe në BE. Sa më parë që të hyjmë në NATO dhe në BE, i tërë rajoni, aq më parë do t’i mbyllen dera dhe mundësia për të destabilizuar rajonin edhe Rusisë edhe të gjitha ideologjive tjera anti-Perëndimore”, u shpreh Presidenti Thaçi.