Thaçi takon kryetaren e KQZ-së, konsultohen për organizimin e zgjedhjeve në Drenas

01.11.2016 17:21:26

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pas pranimit të njoftimit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal për përfundimin e mandatit të Kryetarit të Drenasit, ka filluar konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të kësaj komune.

Kështu, sipas një njoftimi nga Presidenca, Thaçi sot ka pritur kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, kurse ditëve të ardhshme do t’i ftojë për konsultime edhe përfaqësuesit e subjekteve politike.

Sipas njoftimit, në këtë takim, presidenti Thaçi dhe kryetarja Daka kanë biseduar gjithashtu edhe për fillimin e reformave zgjedhore.

“Data e zgjedhjeve do të caktohet në përputhje me afatet ligjore dhe pas konsultimit me përfaqësuesit e subjekteve politike”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ndërsa, Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka thënë se pas shpalljes së zgjedhjeve nga presidenti, brenda afatit ligjor edhe KQZ-ja është e gatshme që teknikisht t’i organizojë zgjedhjet për kryetar në Drenas.

“Në pajtim me kompetencat e mia kushtetuese dhe ligjore, këto ditë do t’i ftojë për konsultime edhe subjektet politike”, ka treguar presidenti Thaçi.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetar të komunës së Drenasit duhet të mbahen jo më herët se tridhjetë (30) ditë dhe jo më vonë se dyzetepesë (45) ditë pas dorëheqjes së kryetarit të deritashëm të Drenasit.