Thaçi tërheq zyrtarisht nga Kuvendi projektligjin për FSK-në

07.04.2017 11:34:22
A picture taken on March 5, 2017 in Pristina shows Kosovo President Hashim Thaci (L) and Kosovo Prime Minister Isa Mustafa (R) as they pass by members of the Kosovo Security Force during a ceremony marking the 19th anniversary of Kosovo war. Kosovo President Hashim Thaci neglects his government's reservations, concerns of the West and even more Serbia's anger -- for the ex-guerilla leader the time has come to provide his little nation an army. / AFP PHOTO / Armend NIMANI (Photo credit should read ARMEND NIMANI/AFP/Getty Images)

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka tërhequr edhe zyrtarisht nismën e tij ligjore për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në mision të ri ushtarak.

Thaçi tha se i ka dërguar letër kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli nga i cili ka kërkuar që Projektligji i propozuar për transformimin e FSK-së të mos vendoset për miratim në Kuvend.

“Ngrirja” e Projektligjit të propozuar, sipas Thaçit, bëhet me qëllim që të provohet sërish “mundësia e fundit”, që transformimi i FSK-së të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, ku do të përfshiheshin në bisedime faktori ndërkombëtar dhe komuniteti serb.

Këto qëndrime, presidenti i Kosovës i prezantoi në konferencën “Forca e Sigurisë së Kosovës –Perspektivat e së Ardhmes”, e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Thaçi tha se kjo tërheqje është e përkohshme dhe e fundit, ngase nëse dështojnë bisedimet që FSK-ja të bëhet ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese, atëherë do të kthehet sërish për miratim Projektligji i tij.

Ai tha se ai e kishte ndërmarrë nismën për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura për shkak të paaftësisë së institucioneve të Kosovës dhe zvarritjeve të treguara nga bashkësia ndërkombëtare në këtë proces.

Nismën ligjore, tha Thaçi e kishte ndërmarrë si obligim kushtetues, duke qenë se Kosova ka të drejtë të ketë ushtrinë e saj.

Këtë të drejtë, theksoi Thaçi, nuk e mohojnë as miqtë ndërkombëtarë. Por, ndërkombëtarët, tha ai, kërkojnë që transformimi i FSK-së në ushtri të bëhet jo përmes ligjit, por përmes ndryshimeve kushtetuese.

Andaj, Thaçi tha se institucionet e Kosovës do t’i japin kohë një procesi të ri dhe të fundit të bisedimeve me përfaqësuesit serbë në lidhje me këtë çështje.

Ndërkohë, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie tha se qeveria amerikane mbështet Kosovën dhe Forcën e Sigurisë. Por, shndërrimi i FSK-së në ushtri përmes ligjit, sipas tij, nuk është veprim i duhur.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tha ai, presin që transformimi i FSK-së të bëhet përmes një procesi transparent, të panxituar dhe në harmoni me Kushtetutën.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin transformimin e FSK-së, por vetëm përmes një dialogu gjithëpërfshirës ku do të merrnin pjesë të gjitha palët.

Tërheqja e Thaçit nga procedimi për miratim i Projektligjit për FSK-në ka pasuar trysninë politike nga NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kërkuan që ky transformim të bëhet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese, çka mes tjerash nënkupton edhe me pjesëmarrjen e serbëve, pa të cilët nuk mund të ndryshohen amendamentet e Kushtetutës së Kosovës. /REL