“Thaçi, ura e rikthimit të Serbisë në Kosovë”

20.07.2018 11:15:35

Takimi i dytë i fazës finale të dialogut të Brukselit e që u zhvillua të mërkurën ishte i shkurtër, por siç thanë protagonistët “më i vështiri” në gjashtë vjetët e fundit. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq vazhdojnë të thonë se dialogu duhet të vazhdojë pavarësisht vështirësive.

Në anën tjetër, opozita e vendit i sheh deklaratat e presidentit Thaçi si rrezik për Kosovën. Sipas tyre, përmes Thaçit shteti serb do t’i vendosë gurëthemelet e veta në Kosovë.

Në anën tjetër, deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi për “Zërin” ka thënë që deklaratat e presidentit Thaçi se dialogu ishte i vështirë janë paralajmërim se veçse është marrë një vendim tejet i dëmshëm për Kosovën.

“Thaçi e tha vetë se takimi ishte i shkurtër dhe i vështirë. Kjo nënkupton se tashmë është marrë vendimi i keq për Kosovën dhe se nuk ka pasur çka të diskutohet më, prandaj ishte i shkurtër dhe i vështirë. Ky njeri tashmë është shitur në këtë proces dhe i ka mbetur ta shesë edhe Kosovën, nëse nuk e ka bërë një gjë të tillë deri sot”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, përmes Thaçit Serbia do të rikthehet në Kosovë, gjë që paraqet rrezik të madh për shtetin tonë. “Thaçi është ura e rikthimit të Serbisë në Kosovë, kurse të tjerët që ishin dje me të në Bruksel janë veç kori pas tij. Kosova është në rrezik”, theksoi mes të tjerash Selimi.